Gjykata Supreme e Kroacisë ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë të një gjykate lokale për të ekstraduar në Serbi Ismail Morinën, personin i cili fluturoi mbi Stadiumin e Beogradit dronin me flamurin me simbole shqiptare.

Morina kërkohet në Serbi për nxitje të urrejtjes etnike dhe raciale.

Media serbe “B92” thotë se vendimi është publikuar në websajtin zyrtar të Gjykatës Supreme të Kroacisë. Në të thuhet se është refuzuar apelimi i avokatit të Ismail Morinës.

Ky është vendimi përfundimtar i Gjykatës – dhe sipas procedurës ligjore, tashmë do të jetë në dorë të Ministrit kroat të Drejtësisë për të dhënë vendimin përfundimtar.

Morina ndodhet në paraburgim në qytetin kroat të Dubrovnikut.

Media serbe po ashtu raporton se mbrojtja e Morinës ka paraqitur një mocion për “mbrojtje ndërkombëtare” tek autoritetet kroate dhe Institucionet Europiane për parandalimin e ekstradimit të tij në një shtet të tretë.

Në tetor të vitit 2014, Morina fluturoi një dron me një flamur me simbole shqiptare mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku po luhej ndeshja për kualifikueset e Kampionatit Europian Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Përdhosja e flamurit nga ana e një futbollisti serb solli reagimin e futbollistëve shqiptarë, teksa më pas hynë në fushë edhe tifozët ultras të Serbisë duke u përplasur me futbollistët e Kombëtares Shqiptare.

Ndeshja u ndërpre dhe me një vendim të Gjykatës Sportive Europiane iu dha fitorja në tavolinë Shqipërisë me rezultatin 3 – 0.

/tvklan.al