Lajme Arkiva 2003
Kryebashkiaku i Korçës Robert Damo është takuar sot me drejtorin e KESH Andis Harasani ku ka shprehur shqetësimin në lidhje me situatën energjetike të rajonit. Damo është shprehur se kufizimet e rrymës elektrike bëhen pa orar dhe pa njoftime paraprake.
Kjo situatë i ka sjell dëme shumë të mëdha biznesit i cili mbetet pa punë në kohën e kufizimit të energjisë.
Sipas kryabashkiakut Damo një tjetër problem që duhet të ketë në konsideratë KESH është edhe shtrirja e energjisë në periferi të qytetit të Korçës pasi linjat e tensionit të lartë, kalojnë përmes shesheve dhe apartamenteve të banimit.
Ndërkohë kreu i KESH, Harasani duke e vlerësuar Korçën si një qytet model në pagesat e energjisë së paguar, tha se për sa i përket kufizimit të energjisë dhe kuotës, Korça është trajtuar nga KESH në mënyrë të veçantë.
Madje sipas Harasanit po shikohet me këtë sy edhe për rritjen e kuotës së furnizimit deri në masën 12%. Kurse cilësia e furnizimit me energji dhe garantimi i saj do të bëhet me vendosjen në punë të nënstacionit energjetik të Zëmblakut, në mesin e muajit janar, si dhe me zbatimin e një projekti me 8 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes.
Kreu i KESH, nuk ka harruar ti përgjigjet dhe akuzës së liderit demokrat Berisha në lidhje me mungesën e qëllimshme të matësve që sipas tij bëhet për të vjedhur qytetarët.
Harasani tha se Berisha nuk e njeh situatën reale të KESH-it dhe nuk e di që janë 400.000 matësa që do të montohen në ato zona që mungojnë./tvklan.al