Mes qindra mesazheve që merr çdo ditë në rrjetet sociale, Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet një prej ndjekësve që e akuzon se po tallet me njerëzit pasi nuk ka ulje të çmimit të energjisë elektrike.
Rama ka hulumtuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe publikon shifrat e çmimit të energjisë dhe i krahason me çmimin që konsumatorët familjarë do të kenë nga 1 Shkurti.
“Shikoji çmimet për kilovat orë në Greqi dhe Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8.5 Lekë, Greqia trefish, 22 për kilovat, Italia 33, Gjermania 40. Më e ulëta është Hungaria që është rreth 20%, pak më lart se ne”, u shpreh Rama.
Në përgjigje të një tjetër komentuesi që mendon se 700 kw që është fasha e konsumit për të cilët do të aplikohet ulja, Rama e kundërshton po me shifra.
“Në kategorinë deri në 700 kw/orë hyjnë mbi 1 milion konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi, janë më pak se 100 mijë konsumatorë, të cilët kanë shtëpi më të mëdha, kanë edhe të ardhura më të mëdha, edhe shpenzime më të mëdha të energjisë dhe prandaj do të paguajnë dhe më shumë se të tjerët”, deklaron Rama.
Me propozim të qeverisë, ERE vendosi që për të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj, nga 1 Shkurti të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat orë. Ndërsa ata abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat orë në muaj, do ta paguajnë me 9.5 Lekë kilovat orin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.
Tv Klan