Kryetari i bashkisë Edi Rama ka drekuar në familjen Tusha, e cila vitet e fundit është vendosur nga Skrapari në kryeqytet. Në bashkëbisedimin e zhvilluar në këtë familje, kryebashkiaku ka prekur çështje të ndryshme sociale, duke u ndalur veçanërisht tek mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, çështje për të cilën tha se nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm.

Edi Rama: “Ka qenë i domosdoshëm një ligj për bashkëjetesën në komunitet dhe në çdo godinë të përbashkët banimi, sepse ka ndryshuar tërësisht struktura shoqërore, struktura komunitare.”

Duke u zotuar për ndryshimin e realitetit që i shqetëson kryeqytetasit, Rama tha se bashkia do të zgjidhë problemet e pompave të ujit, të depozitave si dhe të mjediseve të apartamenteve që janë kthyer në dyqane apo lokale dhe jo rrallë herë shfaqin probleme në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit.

Edi Rama: “Ne me patjetër do ta ndryshojmë këtë realitet sepse është një nevojë dhe një kërkesë gjithmonë e më e vazhdueshme e banorëve të Tiranës, për ta ndryshuar këtë realitet dhe për të pasur shtetin si ndërmjetës në një fazë të parë deri sa të kthehemi tek një rol aktiv i secilit dhe pastaj të një përgjegjësie të përbashkët, në mënyrë që të zgjidhim problemin e pompave të ujit, problemin e depozitave të ujit lart.”/tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi