Klima e biznesit në Shqipëri është e favorshme për investimet e huaja. Pas vizitës 2 ditore në vendin tonë shefi i qeverisë së Estonisë, Andrus Ansip shprehet se prezenca e investitorëve estonez në Shqipëri do të vijë në rritje.

Në një forum ekonomik ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit shqiptar dhe estonez ku të ftuar ishin dhe dy kryeministrat Berisha e Ansip, ky i fundit ka deklaruar se marrëdhëniet e mira mes 2 shteteve kërkojnë një intensifikim në fushën e biznesit.

Andrus Ansip: “Shqipëria ka shumë fusha ku mund të investohet. Unë mund t’iu them se biznesi estonez ka një interes të lartë për të investuar në vendin tuaj. Ndaj iu premtoj se në të ardhmen numri i përfaqësueseve të biznesit estonez ka për të ardhur në rritje. Mundësitë për të investuar në Shqipëri janë të mëdha dhe këto mundësi Estonia do ti përdor në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë ju garantoj se vendi ynë do të vijoj të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme ekonominë shqiptare.”

Nga ana e tij kryeministri Berisha ka bërë një performancë të të gjithë zhvillimit ekonomik që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit.

Berisha shpalosi projektet ambicioze që ka qeveria shqiptare në mënyrë të veçantë në fushën energjetike, por dhe për sektorin e turizmit apo për thithjen e investimeve të huaja, duke i bërë festë investitorëve estonez të jenë të pranishëm në Shqipëri me investime konkrete.

Sali Berisha: “Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni idenë e investimeve në Shqipëri, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend i cili është i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Potencialet më të mëdha që vendi iu ofron janë energjia, turizmi, prodhimi e minierat. Pozita gjeografike e Shqipërisë, burimet natyrore shumë të mëdha të Shqipërisë  në fushën e energjisë, e bëjnë këtë vend një nga vendet më të mira për të investuar në fushën e energjisë.”

Ansip ka përsëritur ofertën e tij për ti ofruar Shqipërisë eksperiencën elektronike në të gjitha fushat. Në këtë kuadër kryeministri estonez i solli shembullin e votës elektronike, e përdorur në zgjedhjet e fundit në Estoni dhe që ka dhënë rezultate tepër të suksesshme dhe të pakontestueshme nga të gjitha forcat politike./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka