Sali Berisha: “Urdhëro, se e teprove mbrëmë shkoi për vizat foli për bashkitë, por ça pune kishte me ata.”

Batuta nuk ishte aspak e rastësishme e kryeministrit Sali Berisha që dukej si një përpjekje për ti treguar Ministrit të Brendshëm që tani për tani vizat janë obligimi kryesor por që dhe kandidimi për Tiranën në 2011 nuk do të ishte aspak një projekt i pamenduar. 

Në fakt ky ishte epilogu i mbledhjes së komitetit të integrimit ku kryeministri Berisha foli gjatë për raportin e KE për vizat dhe detyrimet e palës shqiptare pas procesit të liberalizimit.

Zoti Berisha tha se komisioni është treguar objektiv në raport duke paraqitur me vërtetësi të gjitha detyrat e përmbushura të palës shqiptare që rrjedhin nga udhërrëfyesi.

Sali Berisha: “Raporti është pozitiv, qartësisht pozitiv. Ky ka qenë dhe është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi për qytetarët shqiptar lëvizja e lirë në Europë përbën arritjen e tyre më të madhe, por nga ana tjetër dhe modernizimi  i procedurave të proceseve, ka bërë që vendi ynë, ky shtet për qytetarët e vet dhe për të gjithë vizitorët nga mbarë bota të shënojë, të arrijë standardet më moderne të kontrollit të kalimit kufirit dhe qytetarët shqiptar enden në të gjithë botën me dokumentet më moderne. Ka qenë një proces transformues.”

E përgatitur tashmë për liberalizmin e vizave qeveria po fokusohet për fazën post këtij zhvillimi me rëndësi për vendin. Procesi vazhdon edhe pas heqjes së vizave tha zoti Berisha duke sjellë dhe një shembull për këtë.

Sali Berisha: “Mendoj se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet tona bëhen më të mëdha. Në objektivat e dorëzuara nga udhërrëfyesi nuk ka patur çështje rintegrimi të të kthyerve dhe kjo çështje vjen tani edhe të eksperiencës së hidhur jo të mirë që u krijua me azil kërkuesit.”

Këtij qëllimi i shërben dhe vendimi më i fundit i qeverisë për të dërguar në policinë kufitare 200 punonjës më shumë.

Sali Berisha: “Është shumë e nevojshme që kapacitetet e institucioneve tona të konsolidohen 100 % në përputhje me statusin e ri të vendit, heqjen e vizave. Do të financohet në përparësi kompletimi i të gjitha hallkave të digjitalizimit të veprimtarisë së policisë, por dhe çdo projekti tjetër i çdo institucioni që ndihmon atë për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga heqja e vizave. Duhet të bëjmë çdo gjë që çfarë ka çështjet e raportit ti konkretizojmë sa më mirë dhe sa më shpejt. Edhe rialokime fondesh do bëhen për nevojat e këtij procesi dhe me sa duket kemi arritur marrëveshjen që kompania të fillojë prodhimin e këtyre dokumenteve nëpër ambasadat tona, është shumë gjë pozitive kjo.”

2010 do të shënojë vitin e liberalizimit të vizave për shqiptarët,  një besim që qeveria  e mbështet në rekordet shumë pozitive të raportit për vizat të KE.

Në këtë drejtim kryeministri vlerësoi se hapat e mëdha janë bërë në kuadrin legjislativ duke përmendur miratimin e ligjit antimafia dhe atë kundër diskriminimit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi