Kryeministri Berisha ka hapur zyrtarisht sezonin turistik në qytetin e Sarandës. Pas një seri inaugurimesh ku i fundit ishte stacioni i ri i pompimit të ujit në Vrion të Sarandës, investim ky që do t’i sigurojë qytetit furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, shefi i qeverisë është shprehur se Saranda do të jetë një nga destinacionet më të preferuara, jo vetëm nga turistët shqiptar, por edhe ata të huaj.
Sali Berisha: “Çelja e sezonit turistik në Sarandë, në perlën e bukurive mesdhetare shënon fillimin e vërshimit të ardhjes drejt saj dhe Shqipërisë të miliona turistëve shqiptarë dhe jo shqiptarë për të kaluar lutu së bashku me ju, së bashku me shqiptarët kohën më të bukur të vitit për veten dhe familjarët e tyre, pushimet vjetore midis nesh. Prandaj le t’ju urojmë së bashku me gjithë zemër, mirëserdhët në Sarandë, mirëserdhët në Shqipëri.”
Në çeljen e sezonit të ri turistik kryeministri ka qenë i shoqëruar edhe nga ministri i Turizmit zoti Ylli Pango, i cili ka siguruar se Saranda do të ketë rritjen më të madhe të numrit të turistëve vitin e fundit.
Ylli Pango: “Do jetë qyteti i parë me klimën e tij të mrekullueshme, me kulturën e tij, me trashëgiminë kulturore dhe me resurset pafund natyrore që të mirëpresë turistë nga gjithë bota dhe nga Shqipëria.”
Pas vizitës në Sinagogët Ibraike dhe muzeun arkeologjik, kryeministri ka dhënë një konferencë për shtyp në kalanë e Lëkursit, nga ku është shprehur se investimet e mëdha në zonën e bregut dhe kryesisht në Sarandë po bëhen të mundura sajë të ardhurave të siguruara nga mirë-administrimi i taksave dhe lufta kundër korrupsionit.
Sali Berisha: “Nga Orikumi në Ksamil janë investuar ose investohen gjatë këtyre dy viteve mbi 200 milion euro, për një Sarandë evropiane, për një breg evropian. Duke pasur rritjen e turizmit, fuqizimin dhe zhvillimin e tij si objektivin absolut më madhor, si potencialin më kryesor në distancë për zhvillimin e vendit dhe shkëputjen e tij nga problemet e të shkuarës. Dua të garantoj Sarandën dhe Shqipërinë, se ne do të mobilizojmë fonde të mëdha. Në qoftë se do të kishte një emër të dytë kjo qeveri dhe Sali Berisha do quhej premtim mbajtësi dhe qeveria e premtimeve të mbajtura. Dua të siguroj se unë do mbetem gjithnjë një shërbëtor i vendosur i qytetarëve shqiptarë.”
I pyetur lidhur me investimin në Kakome, kryeministri është shprehur se përmirësimi i ligji të pronave do t’i hapë rrugë projekteve turistike në këtë zonë.
Gazetari: “Saranda është qyteti i parë bregdetar që ka çelur sezonin verorë 2008, pjesë e kësaj dite është dhe kjo anije turistike me rreth 200 turist në bord, e cila sapo është ankoruar në portin e Sarandës./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro