Kreu i qeverisë dhe bashkëshortja e tij, njëkohësisht presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, zonja Liri Berisha, u kanë uruar festën e Vitit të Ri dhe kanë shpërndarë dhurata në qendrën e fëmijëve “Shtëpia e shpresës” dhe shtëpinë e bamirësisë “Nënë Tereza” në qytetin e Elbasanit.
Gjatë vizitës në këto qendra ku jetojnë fëmijë jetimë kryeministri iu drejtua atyre duke u thënë se festat pa to mbeten të heshtura, ndërsa fëmijët me çiltërsinë e tyre mirëpritën kryeministrin me bashkëshorten në një koncert me këngë dhe recitime.
“Zoti na u përgjigj, bijtë e mi ju në jetë, dmth, mund të ndodhin shumë zhgënjime nga njerëzit, por e rëndësishme është se unë jam një Zot, i cili i dua dhe kujdesem për jetimët. Kam sjellë akoma një dhuratë, akoma më të bukur, e cila jeni ju pra. Pra, na ka dërguar zotin kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe zonjën e tij për të na i dhënë këto dhurata me duart e tyre.”
“Gëzuar!”
Sali Berisha: “Festa, të cilat pa ju mbeten shumë të heshtura. Edhe një herë shumë gëzime”.
Kreu i qeverisë nga ana e tij shprehu mirënjohjen më të thellë për kujdesin e veçantë që motrat e Nënë Terezës tregojnë për këta fëmijë të braktisur.
Sali Berisha: “Ju zëvendësoni me dashurinë tuaj, me kujdesin tuaj familjen, shoqërinë dhe kryeni një mision shumë fisnik. Keni në këtë mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve. Keni mirënjohjen e zotit”.
Qendra “Shtëpia e Shpresës” është hapur në qytetin e Elbasanit në vitin 1993. Aktualisht në këtë qendër janë të akomoduar 14 fëmijë jetimë, ndërsa trajtohen me shërbim ditor 25 të tillë, ndërsa shtëpia Bamirëse “Nënë Tereza” ofron kujdes dhe mbështetje për 28 fëmijë në nevojë./tvklan.al