Kompromisi për zgjidhjen e ngërçit parlamentar duket se do gjendet shume shpejtë. Këtë ka lënë të kuptohet kryeministri Berisha, i cili ka qenë i ftuari i gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Duke folur për negociatat pozite-opozitë të iniciuara nga presidenti i republikës, Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë lëshime ndaj opozitës dhe kryesocialistit vetëm e vetëm që ata të ulen në sallën e Kuvendit.
Sali Berisha: “Kompromisi është plotësisht i mundshëm. Mazhoranca ka bërë dhe do bëjë lëshime”.
Blendi Fevziu: Ndarja pushteti siç bëri PS-ja me ju në 2001?
Sali Berisha: “Asgjë të kësaj natyre nuk është në tryezë pavarësisht se në mendjet e agjencisë mediatike të informacionit, këto skema qarkullojnë nga mëngjesi deri në darkë. Më duhet të them që z.Rama pas disa lajthitjeve të fillimit nuk ka kërkuar”.
Blendi Fevziu: A keni ju një skemë tuajën se si mund të arrihet ky kompromis?
Sali Berisha: “Kompromisi është plotësisht i mundshëm, por mendoj që as z.Rama as unë nuk mund të shprehemi se nuk ka rrugë të mesme, siç bëri ai para dy, tri ditësh. E rëndësishme është të kesh vullnetin për ta kërkuar. Unë pranoj plotësisht si deklaratën e z. Soares ashtu edhe rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo ligji për hetimin e zgjedhjeve, kjo përcaktohet në objektin e komisionit mesa di unë a më kupton? Por dhe ligj po të duan të vetmin gjë që dua të respektoj vendimin e gjykatave dhe Kushtetutën e vendit”.
Edhe pse i rezervuar për të folur mbi bisedimet mes tij, Ramës dhe Presidentit, Berisha ka zbuluar, se në tryezë nuk ka patur propozime konkrete nga palët, ndërsa ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për sa i takon hetimit parlamentar dhe hapjes së kutive.
Sali Berisha: “Gjykata ka vendosur, ‘nuk mund të ketë rinumërim pa kundërshtim’. Të hetojmë listat e votimit, po kjo është marrëzi more zotëri. Më fal një minutë çfarë të hetoj unë? Ti them listat e votimit të qytetit të Tiranës 80% janë bërë nga minibashkitë e z.Rama? Çdo çështje tjetër që do shoh përveç çështjet që ka me gjykatën, për të tjerat unë jam i hapur. Rinumërimin e votave Nuk ka asnjë lidhje me Sali Berishën. Kam deklaruar në mënyrën më të përsëritur që unë politikisht një vendim gjykate nuk mund ta trajtoj. Kam deklaruar në mënyrën me të përsëritur me gjithë dëshirën shumë të madhe që kam. Ato që janë në dorë të mia, ai që është sipër fatmirësisht askujt s’ia jep të gjitha në dorë”.
Duke vlerësuar rolin e Presidentit të Republikës në dialogun pozitë-opozitë kreu i ekzekutivit ka hedhur poshtë mundësin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi