Një shekull i historisë së Shqipërisë, rrëfyer nga njerëzit që e kanë shënjuar atë.
Në librin, Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun, gazetari i njohur u sjell lexuesve një material sa dokumentar, aq edhe tërheqës.
Blendi Fevziu: “Këto janë intervistat e jetës. Mua më ka lindur kjo ide diku rreth vitit 1999, kur kam intervistuar Geraldinën, mbretëreshën e Shqipërisë, Geraldinën e Shqipërisë, gruan e mbretit Zog, e cila ishte në ditët e fundit të jetës.”
Në programin E Diela Shqiptare, Blendi Fevziu ka treguar edhe disa detaje nga intervistat me 23 personazhet e zgjedhur prej tij, të cilët kanë rrëfyer vetveten në 13 vitet e emisionit Opinion, një pjesë e tyre madje në të vetmen intervistë dhënë gjatë gjithë jetës.
Blendi Fevziu: “Jusuf Vrioni është nga të paktë personazhe që nuk ka lënë shumë dëshmi në Shqipëri. Ka lënë një libër në Francë, të cilin ai nuk ka dashur të botohet në Shqipëri, megjithëse është botuar kohët e fundit. Këto janë ndoshta të vetmet dhe të paktat imazhe televizive të Jusuf Vrionit.”
Personazhet e këtij libri janë protagonistë politikë të rangjeve të larta. Shkrimtarë të shquar, intelektualë, dëshmitarë të momenteve të errëta të historisë.
Siç thotë dhe Andi Bushati në parathënien e librit, janë dëshmi të rralla që lexohen me një frymë.
Blendi Fevziu: “Interesante është të lexosh pjesën kurioze të tyre, por po kaq interesante është të lexosh pjesën dokumentare.”
Por nëse përmes librit të tij të shtatë, Fevziu sjell një mundësi të mirë referimi për historinë, dikur ai ka lëvruar edhe letërsinë.
Sonila Meço: “Mbarova gjimnazin Partizani pa qenë partizani i asgjëje. Në fakultetin e filologjisë mu duk sikur po ndiqja pas njëzet vitesh prindërit. Në ‘91 u diplomova me Faik Konicën.”
Ardit Gjebrea: “Mes televizionit dhe letërsisë, kë do zgjidhje?”
Blendi Fevziu: “S’besoj se do merrem ndonjëherë me letërsi, me përjashtim të stilit letraresk edhe në publicistikë, që ndoshta është një gjë pozitive, kurse televizioni s’e di, nuk besoj që do shkëputem shpejt.”
“Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun.”/tvklan.al