Imazhet janë marr nga arkivi i pak kohëve më parë. Ato i përkasin një prej arterieve më të rëndësishme të Vlorës, rrugës Transballkanike. Gjatë 20 viteve të fundit rruga, me gjithë riparimet e pjesshme mbeti e rrënuar, ndonëse ruajti përmasat e saj të një gjerësie të bollshme, të pazakontë në Shqipëri. Sot kjo rrugë ka një tjetër pamje.
Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e këtij segmenti me një gjatësi prej 2.5 kilometrash me vlerën 725 milion lekë. Kryeministri e vlerësoi rrugën, një arterie jetike për Vlorën, pasi e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti. Duke thënë se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverise, kryeministri u shpreh se rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne, bashkëkohore, duke e bërë atë të lakmueshme për çdo metropol.
Sali Berisha: “Është një eveniment jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin e Vlorës, një autostradë ndër më të gjerat në Shqipëri. Kjo arterie, është arterie jetike për qytetin, sepse e mbron qytetin nga i gjithë transporti i rëndë që diktohet nga porti. Kjo rrugë ka dy aspekte, socialistët e premtuan, prenë shirita dhe mashtruan, ne e premtuam, e ndërtuam. Kam besim të madh se çdo qytetar i Vlorës dinë të bëjë dallimin, nën kthjelltësinë e dritës së diellit. Gjërat e mëdha bëhen me një rend. Sot ka bulevardin, ka parkun energjetik, ka parkun industrial, do të ketë dhe aeroportin, ka universitetin modern. Dhe katër vitet që vijnë janë vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës, do të thosha më të fuqishëm se të çdo qyteti tjetër në brigjet e detyrave, më të fuqishëm se çdo qyteti tjetër në brigjet e Shqipërisë dhe në Shqipëri sepse këtu nis porti gjigand. Porti do të bëhet, kjo është vendim absolut, i pandryshueshëm i kësaj qeverie, me koncesion apo me buxhetit, porti do të bëhet, Vlora do ta ketë portin e saj madhështor”.
Ajo është me 6 korsi dhe me një gjelbërim duke respektuar standarde të larta. Rruga u parashikua te ndërtohej me një financimin tërësisht nga buxheti i shtetit. Për ndërtimin e saj u angazhuan 3 kompani shqiptare, 2 prej të cilave nga qyteti i Vlorës./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani