Kryeministri Sali Berisha doli para mediave ku foli për vizitën e tij në SHBA, të cilën e cilësoi si të suksesshme dhe shumë të rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Berisha pasuroi detajet e vizitës në mëngjesin e lutjeve të organizuara në Uashington DC, ku shoqëroj dhe nga kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Kreu i ekzekutivit theksoi dy prej takimeve më të rëndësishme të tij, një prej tyre ishte ai më zëvendës presidentin amerikan Joe Biden dhe sekretaren e shtetit Hillary Clinton, të cilët i kanë premtuar kryeministrit se do të vizitojnë Tiranën.

Sali Berisha: “Gjatë qëndrimit në Uashington pata fatin të takoj zëvendës presidentin Joe Biden. Mik u shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, zëvendës presidentit Biden i shpreha mirënjohjen time më të thellë, për atë mbështetje të madhe që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zëvendës presidenti Biden më siguroi mua se ndihej krenar me miqësinë e Shqipërisë dhe avokatinë që ai kishte bërë çështjes së drejtës së shqiptarëve dhe mbështetjes që i kishte dhënë Shqipërisë. Shfrytëzova rastin ta ftoj zëvendës presidentin Biden të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën e pranoi me kënaqësi. Siç e dini unë pata  një takim të shkëlqyer me sekretaren Hillary Clinton. Isha kryeministri i parë që shkruajta aty në librin e nderit. Biseda ishte takimi me një  të shquar, të madhe e cila  e njihte Shqipërinë, shqiptarët, donte Shqipërinë dhe shqiptarët. Por ajo çka dua t’ju them është se nga këto takime marrëdhëniet e Shqipërisë me administratën e re të presidentit Obama janë të shkëlqyera dhe njohin zhvillime tjera të mëdha në të ardhmen. Por mund t’ju them i sigurt se sekretarja e shtetit do të vizitojë Shqipërinë, për këtë jam shumë i sigurt.”

Një tjetër temë e diskutuar në konferencën shtyp të kryeministrit ishte dhe kriza ekonomike dhe pasojat e saj. Ndonëse nuk foli për shifra ekzakte Berisha garantoi se qeveria ka marrë masa anti-krizë dhe se vendi ynë nuk është në krizë ekonomike, por ka një pasqyrim të saj.

Shefi i qeverisë komentoi dhe transparencën buxhetore  duke vlerësuar buxhetin e qeverisë si të detajuar në hollësi, e duke kritikuar atë të bashkisë së Tiranës.

Sali Berisha: “Pse mbetet në klasë buxheti i tij se është jo transparent. Pse nuk kalon buxheti, këshilltarët e mi më thanë  se nuk e ka të bazuar në projekte. Këshilltarët PD nuk e votojnë atë buxhet pa bërë ai transparencën të plotë, se është detyrim madhor, nuk mund të kalojë buxheti pa transparencë.”

Berisha u zotua se ashtu siç i kishte premtuar edhe sekretares së shtetit Hillary Clinton, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 do të ishin të lira dhe të ndershme.

Sali Berisha: “Para mëngjesit dhe gjatë mëngjesit unë kam vetëm një lutje, më kryesoren që të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky ishte dhe zotimi im të cilin unë e konsideroj jetike. E them edhe njëherë edhe do të bëj çdo gjë që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Sot ne kemi regjistër digjital të gjendjes civile, sot ne kemi lista elektronike të votuesve, sot ne kemi një pastrim tërësor të dublimeve, sot ne do kemi sistem të ri adresash , do kemi dhe pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet e reja. Pra hyjmë në këto zgjedhje në kushtet më optimale, pra në kushtet standarde dhe më të mira njëlloj si vendet e tjera.”/tvklan.al