Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai estonez Andrus Ansip e konsideruan historik takimin në Tiranë dhe një mundësi për të ritheksuar se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera.
Nisur nga një eksperiencë e jashtëzakonshme që ofron Estonia në drejtim të përdorimit të internetit në pothuaj të gjitha shërbimet ofruar qytetarëve të saj duke u konsideruar madje si shembull në Evropë, qeveria shqiptare i ka besuar asaj një nga prioritet kryesore, Shqipërinë digjitale. Estonia i beson zgjidhjes elektronike tha kryeministri Ansip i cili në këtë rast nuk përmendi vetëm bankat apo sistemin e taksave, por edhe votimin elektronik.
Andrus Ansip: “Në Estoni njerëzit i besojnë shumë sistemit elektronik të votimit, askush tek ne nuk kërkon rinumërim. Kur neve i besojmë që paratë tona për shembull ti lejmë diku aty dhe ti komandojmë nëpërmjet internetit, atëherë pse të mos kemi besim edhe tek vota e hedhur në internet.”
Sali Berisha: “Do të propozoja që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore nga qeveria dhe opozita të bëjë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim dhe thashethemet dhe frikërat ndaj sistemeve elektronike janë provuar tërësisht të pa bazuara.”
Kryetari i qeverisë shqiptare ka marrë garanci nga homologu i tij estonez për mbështetje të fortë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave.
Sali Berisha: “Kryeministri Ansip më garantoi mua se Estonia do të jetë një avokat i përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit sikundër qeveria e tij është plotësisht e gatshme të na japë të gjithë ndihmën e mundshme në procesin e integrimit në BE, mbi bazën e eksperiencës së vet si dhe në procesin e heqjes së vizave.”
Andrus Ansip: “Sigurisht që duam që këtë përvojë që kemi ta ndajmë me Shqipërinë. Ka rëndësi që të vë në dukje se Estonia është një mbështetës i fortë i zgjerimit të BE-së. Dhe siç përmendi kolegu im, Estonia mbështet liberalizimin dhe lehtësimin e vizave për Shqipërinë.”
Kryetari i qeverisë referuar situatës politike në vend ritheksoi qëndrimin e mazhorancës për hetim kushtetues të zgjedhjeve të qershorit 2009 ndërsa protestat e opozitës si një e drejtë për çdo sistem demokratik.
Sali Berisha: “Vendimi i Parlamentit për komisionin parlamentar, për transparencë të plotë për çdo gjë tjetër përveç çështje për të cilat ka vendime gjykatash është i parefuzueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë transparencë. Protestat janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë.”
Dy autoritet e larta nënshkruan dhe një marrëveshje për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.
Në këtë drejtim kryeministri Ansip shfaqi interesin e biznesmenëve estonezë për të investuar në Shqipëri nisur nga potencialet e mëdha që ofron vendi ynë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi