Kryeministri Berisha nisi një vizitë dyditore në Gjermani me ftesë të Fondacionit “Konrad Adenauer”, për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989-1990-Era e ndryshimit në Shqipëri”.

Fondacioni i njohur gjerman e organizon këtë aktivitet me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit dhe gjatë këtij viti do të ketë të ftuar të nderit personalitete të rëndësishme të politikës së atyre viteve që sollën ndryshime në të gjithë Evropën.

Kryeministri Berisha është i ftuari i dytë në radhë nga ky fondacion. Në takimin që ai pati pasdite me sekretarin e përgjithshëm, Majkell Tilen, ky i fundit falënderoi kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen si dhe shprehu konsideratat më të larta për kontributin e tij në themelimin e PD dhe te pluralizmit në Shqipëri.

Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe është ecur përpara me reformat e vendit tonë dhe është përkrahur hapja e Shqipërisë me botën e jashtme, ndërsa në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e integrimit të vendit në strukturat integruese.

Sali Berisha: “Unë pata fatin të jem i pari ndër ish-drejtuesit opozitarë të Evropës ish-komuniste që javën e parë të themelimit të Partisë Demokratike të kërkoj anëtarësimin e vendit tim në NATO. Shqipëria ishte e distancuar dhe nga blloku i Varshavës, kështu që me këtë thirrje unë isha i bindur se më shumë se shprehja respektin se projekti i anëtarësimit ishte një projekt i gjatë, por kam shumë nder dhe kënaqësi që flas sot këtu në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Unë dua të falënderoj vendin tuaj për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë vendit tim dhe të gjitha reformat e mëdha dhe përpjekjet në procesin e integrimit”.

Zoti Tilen tha gjithashtu se pas vitit 2005, kryeministri i ka dhënë shumë impulse Shqipërisë duke e çuar në mënyrë vendimtare përpara në rrugën e integrimit euroatlantik.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri ai e quajti vitin 2009 një vit të rëndësishme për vendin tonë.

Në Qershor, tha ai, do të keni zgjedhjet parlamentare dhe vendi juaj do të pranohet këtë vit si anëtar me të drejta të plota në NATO.

Kjo na gëzon shumë, sidomos për faktin që pas kësaj qeveria shqiptare po përpiqet të fitojë statusin e vendit kandidat të BE-së.

Tilen u ndal edhe në ligjin e lustracionit, duke thënë se Shqipëria ka vënë në rrugë një ligj, në bazë të të cilit personat zyrtar, ata që kanë poste të rëndësishme kontrollohen përsa i përket lidhjeve të tyre me ish-sistemin totalitar.

Ky ligj është diskutuar në mënyrë kontroverse si në Shqipëria, ashtu edhe në botën e jashtme.

Ne, tha Tilen, i urojmë Shqipërisë që ky diskutim të arrijë në një rezultat në të cilin vendi t’i japë një impuls të fuqishëm pajtimit shoqëror.

Berisha u ndal edhe në ligjin e lustracionit duke thënë se qeveria me këtë ligj kërkon ta ndajë shoqërinë shqiptare nga e kaluara e hidhur komuniste.

Sali Berisha: “Unë jam i bindur se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi, sepse kryegjykatësi që dënoi me varje poetin sërish gjer para tre vjetësh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në rrugë të qytetit të lidhur me tela me gjemba të trupave të rinj gjer para një muaji vazhdonte kryehetuesi i vendit. Kam bindjen më të thellë se pavarësia e sistemit gjyqësor është jetik edhe vendimtare për sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga krimet kundër njerëzimit.”

Pjesë e vizitës së kryeministrit Berisha do të jenë dhe takimet me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane, si dhe me kryetarin e grupit mediatik, VAZ.

Në të gjitha këto takime kryeministri Berisha do të prezantojë reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike, në sajë të të cilave është krijuar një klimë tepër e favorshme për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle