Kryeministri Berisha nga Durrësi gjatë mbledhjes së asamblesë së Partisë Demokratike të këtij rrethi ka rreshtuar politikat e ndërmarra gjatë katër viteve të qeverisjes, si lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i klimës së biznesit dhe shndërrimi i vendit në një kantier ndërtimi.
Kreu i ekzekutivit i garantoi qytetarët e Durrësit për vazhdimësinë e investimeve, teksa premtoi ngritjen e një parku industrial, më i rëndësishmi në Ballkan.
Sali Berisha: “Mandatin e parë i premtuam Durrësit universitetin dhe sot Durrësi ka një nga universitetet më të mira të vendit. I premtuam portin e ri dhe porti po ndërtohet. Këtë mandat garantoj Durrësin se do të ketë parkun industrial ndër më të rëndësishmit në Ballkan dhe më gjerë. Të gjithë do të donin që parku të ishte inauguruar ditën e parë të fitores tonë, por s’kishte asnjë kusht. Për të inauguruar parkun, duhet të shtypje bandat, për të inauguruar parkun, duhet të shkatërroje monopolet.”
Kryeministri Berisha tha se është partizan i taksave të ulëta, të cilat kanë dhënë rezultate befasuese dhe se qeveria nuk do të lejojë që pushteti lokal të rrisë abuzivisht taksat ndaj biznesit.
Sali Berisha: “Ne i nisëm katër vite më parë javën e parë të kësaj qeverie. Kemi përgjysmuar taksat për biznesin e vogël. Ka një tendencë çnjerëzore për t’jua rritur taksat. Absolutisht do të ndërhyjmë me ligj dhe mos të mendojë kush se do përdorë pavarësinë e pushtetit vendor për të rënduar barrën mbi bizneset e vogla. Jo! Kësaj i thonë të sjellësh zjarrin në votën tënde në një kohë kur të tjerët ulin taksat për të shpëtuar biznesin, qeveritarët vendorë shqiptarë kanë gjetur mekanizmin e rritjes. Në dhjetë ditë parlamenti do të ndërhyjë dhe do t’jua vërë kufirin tek thana.”
Investimet në Shqipëri vijojnë me ritme të larta. Vetëm dy muajt e parë të këtij viti ato arrijnë në 3,5 miliardë dollarë, theksoi kryeministri.
Sali Berisha: “Bota e zhvilluar përjeton stuhinë më të madhe të kohërave, një krizë financiare. Absolutisht simotër të krizës financiare që përjetojnë në Shqipëri janë në vitin ’97. Po! Skema piramidale dhe fonde piramidale, fill njëra mbas tjetrës. Shqipëria shpallet dhe deklarohet si ekonomia më solide, së bashku me të Azerbajxhanit e këtij kontinenti. Parashikimet janë se ne do kemi rritjen më të lartë ekonomike në Evropë.”
Reformat në shëndetësi dhe në arsim janë të tjera sfida me të cilat është përballur kjo qeveri, puna për të cilat do të vijojë edhe në mandatin e ardhshëm, por për kryeministrin Berisha arritja më e rëndësishme mbetet anëtarësimi në NATO.
Sali Berisha: “Ne jemi burrat dhe gratë që shembëm murin e Berlinit në Shqipëri. Ne jemi ata që shembëm diktaturën më të egër në Shqipëri. Ne jemi ata që u përballën me mjerimin më të madh njerëzor dhe fituam, ne jemi ata, të cilët hodhëm në Shqipëri themelet e tregut dhe të demokracisë. Ne jemi ata që shembëm murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ne jemi ata që anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Evropës. Ne jemi ata që firmosëm marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe po ecim drejt statusit të kandidatit. Ne jemi ata që shndërruam realitetin, projektin ëndërr të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shqipëria në NATO. Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria!”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro