Urimet për ditën e parë të shkollës kryeministri Sali Berisha i ndau me nxënësit e shkollës profesionale “26 Marsi” në qytetin e Kavajës.

Me këtë rast kreu i qeverisë inauguroi godinën e re, një dhuratë kjo e qeverisë shqiptare për të rinjtë e këtij qyteti dhe rrethinave të tij. Ndërtimi i kushtoi buxhetit të shtetit plot 83 milion lekë.

Kryeministri tha se zhvillimi i arsimit profesional do të jetë një prej objektivave madhorë të qeverisë në mandatin e saj të dytë.

Sali Berisha: “Gjatë mandatit të parë ne dyfishuam rrogat e arsimtarëve dhe ja dolëm të kapim standardin evropian në përqindjen e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme dhe ndjekin universitetet. Gjatë këtij mandati del detyra imperative që ne të ecim me shpejtësi drejt një përqindje shumë më të lartë të nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme profesionale në mënyrë që të rejat dhe të rinjtë shqiptarë krahas shkollimit të marrin edhe aftësimin për t’u punësuar në degë të ndryshme të ekonomisë dhe t’iu përshtaten kërkesave të saj.”

Duke renditur si prioritet vazhdimin e reformës ne arsimin e larte, kryeministri premtoi arritjen e standardeve evropiane dhe theksoi se partneriteti i arsimit publik dhe atij privat do te jene ne thelb te kësaj reforme.

Sali Berisha: “Ky mandat parashtron para nesh detyra shumë më të mëdha. Në rast se ne shtrijmë kabinetet e informatikës dhe internetin në të gjitha shkollat gjatë këtij mandati ne do të shtrijmë në të gjitha shkollat e-learning, mësimin digjital. I garantoj të gjithë afaristët shqiptarë, biznesin shqiptar se investimet e tyre në fushën e arsimit do vlerësohen shumë nga kjo qeveri, se ato do mbështeten fuqishëm me stimuj fiskalë edhe me mjete të tjera, partneriteti publik privat në sektorin e arsimit është vendimtar për të ruajtur cilësinë dhe kapur standardet evropiane”.

Me pas kryeministri vizitoi ambientet e brendshme te shkollës, te përbërë nga 6 dege, 24 klasa dhe një palestër sportive te standardeve bashkëkohore.

Sali Berisha: “Shume e bukur! Ta gëzoni!”

Skulptura, piktura, kuzhina, tekstili, puna me dru dhe puna mekanike janë disa nga profesionet për te cilat te rinjtë mund te specializohen ne këtë shkolle.

Duke i mëshuar zhvillimit te turizmit ne vend vitet e fundit kryeministri sugjeroi zgjerimin e saj edhe me degën e ndërtimit.

Sali Berisha: “Sa më shumë ta zgjerojmë për ndërtimin shkollën profesionale dhe aspekte të ndryshme të ndërtimit, aq më mirë do u shërbejnë të rinjve dhe të rejave, të cilët do gjejnë vende pune”.

Ne këtë inaugurim kryeministri Berisha ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha./tvklan.al