Hidhet hapi i parë drejt shndërrimit të vendit në një superfuqi energjetike në Ballkan.
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë që shënon fillimin e zbatimit të këtij projekti të qeverisë.
Plot 1.1 miliard euro do të kushtojë ndërtimi i parkut energjetik në Lezhë. Kryeministri e cilësoi atë si një ndër investimet më të mëdha që është zbatuar ndonjëherë në Shqipëri dhe që angazhon një prej kompanive më të njohura italiane, grupin Marseja.
Presidenti i këtij grupi, Giuseppe la Grotta, falënderoi kryeministrin për besimin dhe mbështetjen e realizimin e këtij projekti që siç theksoi do ta shndërrojë vendin në një eksportues të rëndësishëm të energjisë.
Giuseppe la Grotta: “Nëse mendoni se në shtatë vitet e fundit janë investuar 1.5 miliard euro në Shqipëri dhe nëse mendoni për projektet shumëmiliardëshe që qeveria është duke autorizuar mund të themi se po jetojmë një revolucion të vërtet industrial”.
Sali Berisha: “Doktor Marseja theksoi me të drejtë se Shqipëria është vërtet vendi që përballet me probleme serioze energjetike, por Shqipëria është vendi që po tërheq investimet më të mëdha në Ballkan në fushën energjetike. Shqipëria me gurin e themelit që hedh aty ka hedhur gurin e themelit për t’u shndërruar në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Ju takon nderin të jeni pionerë, divizioni dhe i kësaj nisme. E theksova, Marseja u bë pionieri i kësaj nisme, i këtij vizioni. Shqipëria është superfuqia energjetike rajonale”.
Janë gjithsej 4.5 miliard euro investime në fushën e energjisë të firmosura vetëm për këtë vit nga qeveria shqiptare.
Centrali i biomasës së lëngshme për prodhimin e energjisë elektrike me kapacitet 140 megavat, me vlerë 1.1 miliard euro është investimi më i madh i kësaj pakete kontratash.
Investimet italiane vetëm në Lezhë mbërrijnë në 1.5 miliard euro. Brenda pak javësh fillon zbatimi i një projekti tjetër të madh në fushën e energjisë ujore.
Sali Berisha: “Në një hark kohor tre javor do të inaugurojmë një projekt të këtyre përmasave, por kësaj radhe në fushën e energjisë ujore, kaskadën e Devollit, me investim 1.1 miliard euro. Nuk ishte aspak e thjesht që pikërisht në kulmin e mungesës së energjisë të deklaronim se Shqipëria do të bëhet superfuqi energjetike në rajon, por gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu në vështirësi, rruga më e sigurt për t’i kapërcyer ato është të guxojë të mendojë të pamendueshmen, të imagjinojë të paimagjinueshmen. Rruga e vetme për t’i shndërruar ato në realitet dhe ne shohim tani një realitet krejt të ri.”
Për ambasadorin italian ky investim konfirmon marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe besimin e investitorëve të huaj për të zbatuar projekte në Shqipëri.
Saba D’Elia: “Jemi vendi që kemi pasur nderin dhe kënaqësinë të firmosim në këto 4-5 muajt e fundit kontrata me një vlerë prej 3.5 miliard eurosh dhe është një shifër mbresëlënëse duke pasur parasysh krizën ekonomike që ka përfshirë të gjithë globin”.
Këtu kryeministri përfitoi nga rasti të kujtojë iniciativën e qeverisë, “Shqipëria një euro”. Berisha ftoi bizneset e huaja të investojnë në Shqipëri duke garantuar angazhimin maksimal të qeverisë që drejton për klientë të favorshëm biznesi.
Sali Berisha: “Unë jam i sigurt se iniciativa “Një euro” i ka tërhequr dhe i tërheq investitorët e huaj. Vërtet ne japim me një euro sipërfaqen, tokën investitorëve. Vlera që realizohet aty është dhjetëra dhe qindra milion euro. Pra ne bëjmë një ftesë dhe tregojmë të gjithë përkushtimin tonë ndaj miqve investitorë. Vullnetin dhe dëshirën për t’i ftuar ata për në Shqipëri. Doktor Marseja bëri fjalë për revolucion industrial në Shqipëri. Shqipëria ka një etikë të revolucionit. E tërë industria e shkuar falimentoi sepse ishte një ngrehinë e një teknologjie tërësisht të vjetër. Ky revolucion do të kryhet me teknologjitë më të reja të kohës. Ky revolucion do shndërrojë Shqipërinë në një nga vendet më të zhvilluara të Ballkanit dhe të Evropës. Ky revolucion do të bëjë Shqipërinë jo Taivanin e Evropës siç patën shkruar dikur gazetat, por shqiponjën e saj”./tvklan.al