Kryeministri Sali Berisha ishte mbrëmë i ftuar në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan në mbyllje të ciklit të emisioneve, “Ministrat përballë medias”.
Para një paneli të zgjedhur gazetarësh kreu i qeverisë foli për zhvillimet kryesore në vend duke u ndalur tek arritjet e qeverisë dhe sfidat që e presin atë.
Ai shprehu besimin se shqiptarët do t’i japin një mandat të dytë, ndërsa tha se mazhoranca do të konkurrojë në këto zgjedhje me projektet e së ardhmes.
I pyetur nëse do të bënte koalicion me Partinë Socialiste apo me Lëvizjen Socialiste për Integrim në rast se asnjëra nga forcat politike nuk do të arrinte mazhorancën kreu i qeverisë përjashtoi kategorikisht formimin e një koalicioni me Edi Ramën, por nga ana tjetër tha se nuk do të lejonte ta çonte sërish vendin në zgjedhje.
Sali Berisha: “Nuk thashë se do bëj koalicion. Thashë se nuk do çoj vendin në zgjedhje. Absolutisht jo nuk thashë edhe nuk do të ketë koalicion në mënyrë kategorike. Koalicion me Edi Ramën? Harrojeni se mund të bëhet kollaj. Se çfarë do bëj atje është fusha e shahut para. Koalicion me ta nuk bëhem dhe mat s’do të më bëjnë dot.”
Gjithashtu përsa i përket fushatës elektorale kryeministri Berisha tha se nuk do të përdorte spotet negative.
Në lidhje me arritjet e qeverisë kryeministri tha se kjo mazhorancë e ktheu këtë vend në normalitet dhe u dha fund proceseve që mbeteshin të papërfunduara, si marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, anëtarësimi në NATO dhe aplikimi i afërt për statusin kandidat në Bashkimin Evropian. Kreu i ekzekutivit i quajti si arritje historike luftën ndaj krimit të organizuar dhe masat e marra kundër korrupsionit.
Përsa i përket liberalizimit të vizave ai shprehu bindjen se kjo do të arrihet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Sali Berisha: “Kjo qeveri çfarë ka bërë? Këtë vend në tërësi e bëri vend normal. Në këto katër vite u firmos dhe u sos procesi i ratifikimit dhe stabilizimit të marrëveshjes me Bashkimin Evropian. U diskutua për herë të parë në 27 parlamente evropiane me tonet më pozitive për këtë vend. Po pretendohet dhe po ecim drejt statusit të kandidatit njëlloj si një vend normal. Kjo qeveri me reformat që bëri ia doli të shuajë çdo skepticizëm për Shqipërinë në NATO dhe krahas mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve mike. Absolutisht një rol përcaktues kanë patur reformat e kësaj qeverie dhe ne po bëhemi anëtar i NATO-s”.
Investimet në infrastrukturë u përmendën si një tjetër arritje dhe premtim i mbajtur. Përsa i përket rrugës Durrës-Kukës zoti Berisha tha se ajo do të inaugurohet para zgjedhjeve.
Gjithashtu kryeministri premtoi nisjen gjatë këtij mandati dhe punimeve të rrugës së Arbrit në Bulqizë, Klos dhe Tiranë si dhe fillimin e boshtit të jugut.
Çështja e Gërdecit ishte një tjetër temë e prekur gjerësisht në këtë debat. Duke e quajtur një aksident tragjik të parandalueshëm kryeministri tha se prokuroria gaboi teksa akuzoi ish-ministrin Mediu duke shmangur ushtrinë.
Këtë veprim ai e quajti si akt politik të shëmtuar që shkatërroi hetimin. Përsa u përket marrëdhënieve me presidentin kreu i ekzekutivit tha se ato janë institucionale, por kujtoi se kur kreu i shtetit tentoi të krijonte pakicën bllokuese mori atë që meritonte, sikundër edhe me prokuroren e përgjithshme.
Çështja Pango u prek gjithashtu në këtë debat ku kryeministri dënoi veprimet e ish-ministrit, por e quajti të papranueshme edhe dhunimin e shtëpisë, ndërsa tha se edhe lançimi ndaj tij u orkestrua nga Edi Rama./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni