Departamenti i Gazetarisë, në Universitetin e Tiranës ka marrë iniciativën që ditën e parë të muajit Korrik ta njohë si ditën e Komunikimit. Këtë vit stafi akademik ka vendosur që këtë ditë t’ja kushtojë teknologjisë së Medias dhe Edukimit duke dashur të promovojë arritjet e departamentit të Gazetarisë, në fushën e Medias dhe Komunikimit.
Studentët kanë prezantuar punët më të mira të realizuara gjatë këtij viti akademik në gazetarinë televizive, duke prekur tema të ndryshme sociale. Si pjesë e audiencës së reportazheve të studentëve ishte i ftuar të marrë pjesë dhe kryeministri Berisha. Si njohës i mirë i mediave ai ka dhënë vlerësimin e tij për punën e gazetarëve të ardhshëm, duke theksuar rëndësinë që ka liria e fjalës në shoqëritë demokratike.
Sali Berisha: “Disa herë kam diskutuar dhe pres nga miqtë e mi të sjellin në parlament ligjin që të ndalojë pronarin të diktojë politikën editoriale. Shembulli i Shqipërisë është shembulli më tipik i vdekjes së mediave nga përdorimi i tyre personal. Në rast se sot nuk ka procese gjyqësore, ky është një standard që nuk ekziston dikund tjetër. Disa masa të tjera do vendosen në mënyrë që ju të paraqisni publikut çdo ditë punë të tilla, punë objektive, kritike pa diskutim.”
Duke ju drejtuar studentëve Berisha, tha se do të bëjë çdo përpjekje për modernizimin hapësirës shqiptare informative asi projekti “Shqipëria në moshën digjitale”, sipas tij është projekti që synon të bëjë qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga kjo forcë e jashtëzakonshme shtesë e zhvillimit të shoqërisë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Operator Metlin Kepi