Bilanci i arritjeve, realizimit të projekteve të mëdha dhe përmbushjes së reformave konsensuale në vend, e cilësoi kryeministri Berisha vitin 2008 gjatë një konference për shtyp.

Pavarësia e Kosovës si kryevepër e qëndresës së gjithanshme dhe ftesa e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO e bën 2008-tën, u shpreh kryeministri Berisha, viti i shqiptarëve.

Sali Berisha: “2008-ta ishte një vit për shqiptarët. Kjo është e vërteta më e madhe e këtij viti. Ishte viti i pavarësisë së Kosovës, është viti që Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit për NATO. Shqiptarët do kenë mundësi si komb i lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të shkëputen nga historia e tyre e mbijetesës dhe një moment i madh shumë sepse rikthehen në familjen e kombeve të lira perëndimore”.

Duke u ndalur veçanërisht tek reformat në sektorin e ekonomisë që sipas kreut të qeverisë kanë përmirësuar klimën e biznesit në vend numri një i ekzekutivit garantoi qytetarët se mbetet i palëkundur në politikat e tij për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe uljen e taksave, ashtu sikurse për vitin që vjen u angazhua se do t’u mbajë premtimin për zgjedhje të lira e të ndershme.

Sali Berisha: “Zotimi im është se do bëj çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Detyrimi më madhor. Unë do bëj çdo gjë që shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njëlloj si qytetarët e tjerë evropianë.”

Në përmbushje të këtij zotimi kryeministri garantoi se premtimi për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti do të marrë udhë në Janar, atëherë kur do të fillojë dhe shpërndarja e tyre.

Sali Berisha: “Fillon në Janar. Unë shoh se ka një interes të madh për t’u pajisur me karta identiteti nga qytetarët. Po bëjmë çdo përpjekje që ky interes të përballohet nga kompania dhe mendoj se heqja e TVSH-së, i cili është vendosur sot për kartat, heqja e disa tarifave të tjera e ka bërë atë plotësisht të mundshme për t’u blerë nga qytetarët shqiptarë. Do të duhet të negociojmë me opozitën për disa ndërhyrje që mund të bëhen. Do të jenë, nuk do jenë më se tani kemi të bëjmë me zgjedhjet. Tani vendimet duhet të jenë të përbashkëta.”

Shefi i ekzekutivit u shpreh se Shqipëria ka lënë pas në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale shumë vende të rajonit duke u renditur njëkohësisht ndër dhjetë vendet që kanë bërë revolucion në këtë aspekt.

Kryeministri tha se qeveria e tij po përmbush detyrimet për të qenë pjesë tashmë e familjes evropiane.

Sali Berisha: “Nuk mund të bëhet fjalë për liberalizimin e vizave siç besoj unë pa i pajisur shqiptarët me këto dokumente dhe nuk shoh ndonjë pengesë tjetër serioze për këtë proces pas pajisjes me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike.”

Investimet në infrastrukturë për kreun e ekzekutivit ishin dhe do të jenë edhe për 2009-tën prioriteti i kabinetit të tij.

Duke premtuar se pjesë e këtyre investimeve do të jetë edhe projekti i jugut kryeministri tha se Qershori do të jetë muaji kur shqiptarët nga të dy krahët e kufirit do të jenë më pranë se kurrë me rrugën e re Durrës-Kukës.

Sali Berisha: “Rrugën nuk e përmenda se do ta inauguroj, ta inauguroj. Mbaj shënim. Do inaugurohet qartësisht para zgjedhjeve. Datën nuk po e them”.

Në bilancin 1-vjeçar të qeverisë kreu i ekzekutivit e cilësoi 2008-tën gjithashtu si viti i privatizimeve të mëdha dhe lirisë së medias./tvklan.al