Kryeministri Sali Berisha bëri një rivlerësim të progres-raportit të KE për Shqipërinë nisur nga zhvillimet politike të cilat mbajnë ende jashtë dyerve të Kuvendit Partinë Socialiste.
Kryeministri iu referua pikërisht vlerësimit në raport të zgjedhjeve të 28 Qershorit, të cilat sikundër tha shënuan një standard unik duke e nxjerrë Shqipërinë përfundimisht nga lista e vendeve me zgjedhje problematike.
Këtu kryeministri Berisha ju referua kërkesës së Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit. Një kërkesë që e cilësoi absurde në kushtet kur kërkohet të hetohet mbi një proces të mbyllur tashmë nga gjykata.
Sali Berisha: “Vetëm një gjë do t’iu them shqiptarëve nuk ka kërkesë më absurde, nuk ka kërkesë më ogurzezë se sa të pretendosh të vendosin vullnetin politik mbi vendimet e gjykatave. Për 4 qarqet ku zoti Rama pretendon për rinumërim gjykata e apelit të kolegjit zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesat për rinumërim dhe i ka hedhur poshtë bazuar në ligjin zgjedhor të vendit. Komisioni hetimor parlamentar i bazuar në nenin 77 të kushtetutës, sipas ligjit organik të këtij komisioni nuk mund të shqyrtojë çështje që janë në juridiksionin e gjykatave. Vendimi i gjykatës Kushtetuese i vitit 2003 që plotëson nenin 77 të kushtetutës, me fuqi plotësuese për kushtetutën, përcakton qartë se hetimi parlamentar në mënyrë kategorike nuk mund të shtrihet në çështje të cilat kanë qenë apo janë objekt i hetimit gjyqësor dhe i gjykimit.”
Kryeministri Berisha ftoi opozitën të lexojë me objektivitet progres-raportin duke e garantuar paralelisht për krijimin e të gjitha hapësirave të nevojshme në përputhje me ligjin dhe kushtetutën.
Sali Berisha: “Do të marr përsipër të përgatis të gjitha amendamentet për sugjerimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e ardhshme. E garantoj se jam i gatshëm të krijoj që nesër komision hetimor dhe ndonëse ligji nuk lejon që ai të ketë shumicën, por meqenëse është një çështje midis shumicës dhe pakicës unë e pranoj atë. Unë nuk do të dërgoj në ndërtimin e komisionit, e pranoj që të ndërtoj komisionin, ta ndërtojmë sipas ligjit, por e garantoj që një anëtar i komisionit të shumicës në mënyrë konstante nuk do shkojë dhe nuk do zëvendësohet. Për ti dhënë atij shumicën, zotëria e tij të hetojë për shkarkimet e njerëzve, të vijë ti hetojmë që të gjitha. Kërkon të hetojë për implikimet e administratës në zgjedhje, urdhëro të vijmë ti hetojmë, kërkojmë për lirimin e të burgosurve për qëllime elektorale, urdhëro të vijmë ti hetojmë. Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave.”
Berisha tha se në vendet demokratike politika nuk ndërhyn në vendimet e gjyqësorit.
Sali Berisha: “Ka ndodhur kjo vetëm në vitin e zi, 53 apo 54 kur anëtarët e byrosë politike u ulën në tavolinë dhe vendosën ekzekutimin e intelektualëve ndërkohë që gjyqin e bënë formalisht dy ditë më vonë të bombës në ambasadën Sovjetike.”
Kryeministri përmendi progres-raportin e KE edhe për vlerësimin që bëhet në të mbi luftën kundër korrupsionit. Mbi ketë çështje tha Berisha, ky është raporti më i mire i lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë, ku qartë vlerësohen përpjekjet e qeverisë për të minimizuar fenomenin e korrupsionit.
Sali Berisha: “Raporti fakton se në Shqipëri ka një vullnet politik për të luftuar korrupsionin. Zotëri ministra është në detyrimin tonë më madhor që të shqyrtojmë çdo procedurë të veprimtarisë së kësaj qeverie dhe institucioneve të saj për ta nxjerrë atë jashtë korrupsionit nëpërmjet reformave, cilido që të jetë çmimi i këtyre reformave.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi