Papunësia do të ulet disa herë në tre vitet që vijnë. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e hapjes së panairit të punës në Tiranë.

Ai tha se punësimi do të rritet si pasojë e barrës së ulët fiskale dhe rritjes ekonomike dyshifrore të Shqipërisë.

Sali Berisha: “Ne po bëjmë dhe do bëjmë përpjekje të mëdha për nxitjen e punësimit. Mendoj se politikat tona fiskale janë politika ndër më të favorshmet. Në tre vjet papunësia ka njohur një ulje, por unë kam bindjen se tre vitet që vijnë kjo ulje do të jetë shumë më e madhe dhe më e shpejt sepse këto tre vite reformat e tyre kanë transformuar tërësisht klimën e biznesit në këtë vend.”

Kryeministri vizitoi stendat e sipërmarrjeve që ofrojnë punë në këtë panair dhe tha se në drejtim të nxitjes së punësimit do të ndërmerren stimuj në funksion të favorizimit të kompanive që punësojnë më shumë punëtorë.

Po ashtu ai garantoi dhe një herë ndërtuesit, një sektor të rëndësishëm në tregun e punës, se procedurat e lejeve të ndërtimit do të shkurtohen.

Sali Berisha: “Një barrë e rëndë mbi sipërmarrjen shqiptare qëndron leja e ndërtimit, e cila ka një mesatare prej 330 ditësh. Duhet të falënderojmë të gjithë ata që investojnë në këtë vend për durimin që tregojnë, por duhet t’i garantoj se si shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj tyre dhe ndaj atyre që do investojnë këto afate do shkurtohen”.

Për t’iu përgjigjur në mënyrë sa më efikase tregut të punës dhe kërkesave të tij kreu i qeverisë nënvizoi faktin se shoqëria duhet të krijojë kushte që të gjithë të kenë një punë dhe për këtë duhet të ndërmerren hapa për të trajnuar dhe për të aftësuar individë që t’i përgjigjen tregut./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe