Kryeministri Sali Berisha, ka përshëndetur 40 mësuesit e parë që u certifikuan nga Qendra për Studime Demokratike, me titullin “Trajnerë për të mësuarit me mendim kritik”. Kreu i ekzekutivit tha, se qeveria do të mbështesë dhe nxisë arsimin që ai të bëhet sa më kompetitiv.

Sali Berisha: “Që vullnetarisht kanë përzgjedhur kualifikimin. Jeni bërë me këtë një shembull i shkëlqyer, për të 40 mijë mësueset dhe mësuesit e këtij vendi dhe kjo qeveri e ka bërë përparësi absolute arsimin dhe për sa të qeveris do ta ketë këtë përparësi. Dua të largohemi nga klasicizmi i arsimit publik, nuk them se do t’i kthejmë shpinën arsimit publik, Jo. Por duhet të gjejmë format që ta bëjmë atë sa më kompetitiv”.

 Qendra për Studime Demokratike promovoi një seri librash për të menduarit kritik si edhe tekstin “Psikologjia” në shqip përkthim ky i botimit më të mirë në SHBA për vitin 2008. 

Më pas kryeministri Berisha ka përshëndetur çeljen e ekspozitës në bibliotekën kombëtare me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit ku u vendos edhe alfabeti me të cilin gjuha shqipe shkruhet sot.

Sali Berisha: “Nuk ka rëndësi kundërshtitë apo debatet që patën. Rëndësi të jashtëzakonshme ka trashëgiminë e shkëlqyer që ne na lanë, trashëgimi e cila do të thosha së bashku me flamurin përbëjnë dy dëshmitë më të mëdha të vokacionit perëndimor të kombit shqiptarë. Kjo qeveri do të adaptojë një qëndrim cilësisht tjetër ndaj librit dhe bibliotekave, ku biblioteka kombëtare do të ketë rolin e liderit të këtij procesi dhe këtij zhvillimi”./tvklan.al

Operatori: Petrit Xhaferri