Forcat e Armatosura Shqiptare janë gati për të qenë përkrah ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës se Atlantikut të Veriut. Konstatimi vjen nga komandanti  suprem i NATO-s për Europën , gjenerali John Craddock, i cili ka nisur një vizitë dy ditore në Tiranë. Ndërsa takimin e parë ia ka rezervuar kryeministrit Berisha.

John Cradddock: “Shpreh mirënjohjen time vërtetë për atë që Shqipëria ka bërë deri më sot në ndihmë të misioneve të NATO-s, si vend partner i NATO-s. Është gjykimi ynë, mendimi ynë që Shqipëria shumë shpejt do të jetë një anëtare e vendeve që janë pjesë e NATO-s. Presim me dëshirë që pra kjo të bëhet një realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Në këndvështrimin tim si komandant i komandës supreme aleate për Europën, në këndvështrimin e planit për anëtarësim porsa ne kemi punuar ngushtë me forcat tuaja të armatosura gjatë gjithë këtyre viteve, kemi parë një përparim shumë të rëndësishëm në reformat në fushën e mbrojtjes dhe në arritjen e standardeve profesionale të forcave të armatosura. Dëshiroj të them që vërtetë ky përparim ka qenë mbresëlënës. Ishte rekomandimi i komandës supreme të NATO-s dhe i imi si komandant i saj, propozim, i cili iu bë këshillit të NATO-s dhe sekretarit të NATO-s që Shqipëria nga këndvështrimi i sigurisë dhe standardeve të sigurisë ishte e gatshme për t’u anëtarësuar në NATO.”

Kryeministri Berisha ka shprehur mirënjohje personale për mbështetjen që gjenerali Craddock i ka dhënë forcave të armatosura shqiptare, por dhe mbështetjen e pakursyer siç u shpreh ai të aleancës dhe të SHBA.

Sali Berisha: “Unë e garantova gjeneralin Craddock, se këto janë vendimet për ftesën dhe anëtarësimit janë një inkurajim tjetër i madh për ne, për të vazhduar me reformat dhe për të reformuar më tej forcat tona të armatosura, për t’i bërë ato aleate të denjë.”

Duke zbardhur disa nga çështjet mbi të cilat u fokusua biseda me gjeneralin Craddock. Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria e tij është e gatshme të rrisë kontributin me njësi të reja ushtarake në Afganistan./tvklan.al