Turi i kryeministrit “Shqipëria po ndryshon” është zhvendosur në Qarkun e Shkodrës, ku kreu i qeverisë ka inauguruar një sërë veprash publike.
Ndalesa kryesore e shefit të qeverisë ka qenë fshati Bogë, ku kryeministri ka inauguruar rrugën 12 km që do të lidhë këtë zonë të thellë me pjesën tjetër të këtij qarku.
Në këtë komunë Berisha ka premtuar vazhdimin e kësaj rruge deri në Theth dhe përqendrimin e qeverisë në investimet në turizëm.
Sali Berisha: “Në tre vjet ne kemi investuar në këto zona, 1.2 miliard dollarë dhe unë jam i vetëdijshëm se për të ndërtuar një infrastrukturë europiane në këto zona duhen dhe disa miliard të tjera, por u jap fjalën ju, u jap fjalën të gjithë shqiptarëve të këtyre zonave kudo që ndodhen, se edhe ato shumë miliarda do të disponohen dhe do investohen. Është një bukuri mahnitëse, një Zvicër me det. E vërteta është që Zvicra është shumë herë më e zhvilluar se ne, por e vërteta është se ne do bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fytyrën e vërtetë europiane Bogës, Thethit, Valbonës, Vermoshit, Çajupit, Tomorrit, të gjitha zonave turistike të këtij vendi.”
Gjithashtu kryeministri ka inauguruar rrugën që lidh komunë Gru e Mirë me fshatrat e zonës, një investim ky i buxhetit të shtetit më vlerë 21 milion lekë.
Së bashku me autoritetet lokale dhe deputetë të zonës, kryeministri ka prerë shiritin e inaugurimit për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë edhe ky një tjetër investim i buxhetit të shtetit me vlerë 41 milion lekë.
Sali Berisha: “Kjo qeveri do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën në Bajzë, në Vermosh dhe kudo, derisa ajo të jetë infrastrukturë e përshtatshme, njëlloj si për qytetarët e tjerë. Ne nuk mund të bëjmë punën që bënin fermerët, por ne synojmë t’u japim atyre mundësi që fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla të njëjta si në qytet. Zoti kryetar mirëpres sa më shpejt përfundimin e atij plani dhe të garantoj se do të investojmë në çdo projekt, në rrugë dhe rrugica të Bazjës, në lulishte, në ujësjellës, në kanalizime, qendër shëndetësore, spital çdo gjë që do të ketë nevojë kjo komunë”
Inaugurimet e kryeministrit kanë vazhduar me rrugën e re në fshatin Reç, një investim prej 40 milion lekësh. Në këtë tur të tij kryeministri ka ndarë mendime me banorët si dhe ka premtuar vëmendjen e qeverisë ndaj zonave të thella./tvklan.al
Gazetar: Simon Shkreli