Për biznesin do të këtë ulje të mëtejshme të taksave dhe eliminim të barrierave statike, premtimi është i kryeministrit Berisha, i bërë në një takim të zhvilluar me grupimet e biznesit vendas. Bëhet fjalë për një strategji, e cila sipas kreut të qeverisë do të krijonte një klimë të përshtatshme për zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë.
Sali Berisha: “Kjo krizë ka krijuar njëfarë konfuzioni në botë, disa i rrisnin taksat, disa i ulin nuk merret vesh se çfarë po bëhet, por ne do vazhdojmë me ulje e tyre, ky është zotimi im. Për sa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Europë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në Europë.”
Kryeministri i ka premtuar biznesit rritjen e mëtejshme të konkurrencës në treg dhe për këtë qëllim do të angazhojë edhe ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fushës.
Sali Berisha: “Ne tani do punojmë me përkushtim të madh, të rrisim në maksimumin e mundshëm, të ngremë në zenit lirinë e konkurrencës në këtë vend. Çfarë mendoj? Unë mendoj të kontaktoj një kompani, kanë filluar përpjekjet për të kontaktuar babain e kësaj doktrine, profesorin e Harwardit, por dhe ai do vijë në Shqipëri, do punojmë bashkërisht. Shqipëria do të behët vendi i konkurrencës më të lirë.”
Në lidhje me një temë të nxehtë të komunitetit të biznesit siç është ngritja e gjykatës administrative, projektligj i bojkotuar nga opozita gjatë seancës së fundit të Kuvendit muajin e kaluar, kryeministri premtoi se ky do të jetë ligji i parë që do të kalojë në parlamentin e ardhshëm.
Sali Berisha: “E bëmë ligjin, ligjin më të mirë të mundshëm, ligji do të kalojë. Ju garantoj unë ju se ligji i parë që do kalojë në mandatin e ardhshëm do të jetë ligji i gjykatës administrative.”
Teksa ka folur rreth transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit, kryeministri ka shigjetuar kryetarin e bashkisë se Tiranës në lidhje me lejet e ndërtimit dhe mungesën e planit rregullues që penalizojnë biznesin e ndërtimit.
Sali Berisha: “Si mund të themi ne po aplikoj për në BE, jemi vend anëtar i NATO-s nuk bëjmë planin e rregullimit të territorit dhe pse, sepse nuk dua ta ndaj me … me atë. Nuk ka vend në botë që kryetari i bashkisë të japë 70% të lejeve dy kompanive, në kohë kur janë 400 që punojnë. Nuk ka, ju garantoj, as edhe i biri i Kim Il Jungut, kryetar bashkie i … nuk bën këtë.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro