Pak orë përpara votimit në parlament kreu i mazhorancës i ka bërë edhe një herë thirrje kryesocialistit Rama të kalojnë së bashku ligjin për pastërtinë e figurave.
Me tone tejet të ashpra përpara grupit të tij të deputetëve Berisha i ka kërkuar Ramës të mos mbajë peng opozitën për shkak të lidhjeve të tij të gjakut me ish-pushtetarë të komunizmit.
Sali Berisha: “I bëj thirrje zotit Rama të votojë ligjin, të dalë jashtë guaskës dhe lidhjeve të tij të tmerrshme familjare, të mos mbajë peng një opozitë se është i biri i një anëtari të komitetit qendror që të gjithë jetën ia ka kushtuar busteve të diktatorit, të mos mbajë peng një opozitë pse rrjedh nga Koleka, i cili ka qenë një pseudo-intelektual apo intelektual kriminel. Të mos mbajë peng partinë e tij.”
Kryeministri Berisha nuk ka kursyer dhe presidentin Topi në deklaratën e tij në mbrojtje të ligjit për pastërtinë e figurave. Ai e ka cilësuar të turpshme dekorimin nga ana e kreut të republikës të prokurorit Skënder Breça me medaljen e mirënjohjes në Maj të këtij viti.
Sali Berisha: “Ne përjetuam këtë vit dekorimin, dekorimin e prokurorit që kërkoi devijimin kapital të Xhelal Koprënckës. Në mënyrën më të papranueshme Koprëncka u dekorua vite më parë për meritën e tij, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij”.
Duke e cilësuar miratimin e ligjit si një detyrim moral dhe ligjor për t’u ndarë nga krimet e regjimit të Hoxhës, Berisha ka deklaruar se nisma e mazhorancës së iniciuar tre vjet më parë, nuk ka asnjë nuancë hakmarrje dhe s’ka lidhje me emra konkrete.
Sali Berisha: “Asgjë për hakmarrje. Jo. Në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme se ligjin thonë zotërinjtë, zëdhënësat e Edi Ramës, po e bëjmë për shkak të tre-pesë hetuesve, gjashtë gjyqtarëve, ku ta di unë e me radhë. Sipas teje zoti Rama dhe zëdhënësve të tu në Shqipëri procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart gjer në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Vetëm Zamir Shtyllat, të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin ’90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë dhe që janë aty vetëm për lidhje të shumëllojta me drejtuesit e tyre dhe për asgjë tjetër se unë nuk di pse mund të jetë”.
Me tone të ashpra kryeministri ka folur dhe për ish-presidentin Alia, i cili sipas tij është firmëtar i një sërë urdhrash për ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm, ndërsa ka gisht, sipas tij, dhe në masakrën e Tivarit ku u vranë dhjetëra intelektualë.
Berisha ka deklaruar se ligji për pastërtinë e figurave do të shoqërohet dhe me ngritjen e institutit të pendesës, i cili do të bëjë të mundur zbardhjen e të gjitha krimeve të komunizmit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka