Kryeministri Sali Berisha u kërkoi anëtarëve të kabinetit përgatitjen e konsultimeve të gjera për të gjitha reformat që ndërmerr qeveria.
Konsultimet duhet të përfshijnë ndër të tjera grupet interesin, botën akademike të biznesit, proces ky që sikundër tha kryetari i qeverisë do të garantojë mbi të gjitha zbatimin e reformave.
Sali Berisha: “Duhet të jetë qeveri e një dialogu intensiv, sepse Shqipëria po ndryshon, po ndryshon me shpejtësi. Unë mund t’ju them ju vetëm ndryshimet, janë bërë muajt e fundit për të merituar vizat. Janë vërtet ndryshime epokale me të gjithë sistemin e kontrollit të kufijve, identitetit të qytetarëve, Shqipëria shkëputet nga një epokë e prapambetur mikste dhe del në një epokë ndër më modernet”.
Kryeministri ju referua një prej reformave kryesore siç është privatizimi, reformë që ka garantuar tashmë një mbështetje të fuqishme të ekonomisë së vendit në sektorin privat.
Sali Berisha: “Ky sistem nuk përjashton prularitetin e pronave, e pronësisë, por para së gjithash është sistemi ku bazohet mbi pronën private dhe iniciativën e lirë të qytetarëve. Edhe për këto politika duhet të organizohen debate dhe grupe interesi me qytetarët. Sot janë shumë të paktë shqiptarët që kanë nostalgji për kolektivitetin dhe pronën kolektive”.
Gjatë mbledhjes së qeverisë u bënë të ditur vendimet për hapjen e një serë përfaqësish të reja diplomatike të vendit tonë në Bruksel, në nivel ambasade për Mbretërinë e Belgjikës, apo edhe në Bosnjë, Katar etj.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Jashtme të përgatisë vendimin për lëvizjen pa viza në Shqipëri, të të gjithë turistëve që vizitojnë brigjet Dalmate dhe Malin e Zi.
Të mërkurën u diskutua dhe u kërkua përmirësim rrënjësor i sistemit të inspektimeve. Në mbledhjen e task-forcës kryeministri Sali Berisha tha, se modeli aktual është jo eficent, ndaj dhe foli për një praktikë krejtësisht të re në këtë drejtim.
Modeli i diktuar dhe aprovuar më pas nga task-forca ka në bazë zbatimin e praktikës më të mirë evropiane, gjë që do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit, efikasitet në luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, si dhe inspektimeve në të gjitha fushat./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi