Në vijim te vizitës zyrtare ne Republikën Popullore të Kinës, kryeministri Berisha ka vizituar Shenzhenin, qytetin pararojë në zhvillimin ekonomik në të gjithë Kinën.
Kreu i qeverisë shqiptare ka parë nga afër parkun industrial të teknologjisë së lartë në këtë qytet i krijuar në vitin 1996, tashmë një nga gjashtë parqet më të mëdha në botë, ku zhvillojnë aktivitet mbi 500 kompani nga 121 vende të botës, të fokusuara ne produktet e teknologjisë së lartë.
Kryeministri tha se në vlerësimin e tij në vitin 2004 kompania konsulente më prestigjioze në botë “Mc Kenzie” është shprehur se zona Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në një Shenzhen të Evropës për teknologjinë e lartë dhe se ai shpreson që kjo të arrihet.
Në vijim edhe të idesë së hedhur një ditë më parë në takimet me presidentin dhe kryeministrin kinez, Berisha ka ftuar bizneset e parkut industrial të Shenzhenit të vijnë dhe të investojnë në vendin tone.
Sali Berisha: “Në Kinë ekziston një ndjenjë thellësisht miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Garantova kryetarin e bashkisë, i cili më premtoi se do të vijë në Shqipëri, se qeveria do t’i krijojë të gjitha lehtësirat biznesit kinez për suksesin e tij të plotë. Shenzhen është një nga qendrat më të fuqishme të zhvillimit të Kinës”.
Ftesa është mirëpritur menjëherë nga kompania kineze, ZTE, lider ne fushën e telekomunikacionit teksa aktualisht po zbaton ne Shqipëri fazën e dyte të projektit për ofrimin e internetit me shpejtësi të lartë ADSL, me kompaninë Albtelekom.
Gjate vizitës ne selinë qendrore te ZTE-se, në Shenzhen, kryeministri Berisha është pritur nga presidenti i bordit të kompanisë, Zhu Jinyan.
Ky i fundit shprehu interesin e madh për të përfituar nga oferta e kryeministrit Berisha për një zonë të lirë ekonomike për zhvillimin e teknologjisë së lartë, çka do ta shndërronte Shqipërinë në një lider rajonal në këtë drejtim.
Jemi gati t`ju ofrojmë çdo lehtësi, qendra shpërndarjeje, qendra prodhimi, qendra kërkimore e çdo aktivitet ekonomik në Shqipëri, ka garantuar kryeministri sipërmarrësin kinez.
Sali Berisha: “Faza e parë e projektit ka ecur mbi parashikimin tim. Ka ecur në atë mënyrë saqë çdo abonent i Telekomit shqiptar kursen 70 dollarë me praktikën që ndiqet në instalimin e tij dhe mund të marrë internet me band të gjerë. Faza të tjera po vazhdojnë. Me drejtorin, zotin Zhu, dhe ekipin e tij diskutova gjerësisht mbi potencialet që paraqet Shqipëria për parkun e high tech-ut të Shenzhenit dhe ZTE-në. I garantova se qeveria ime është e gatshme të ofrojë çdo lehtësirë”.
Kryeministri është pritur edhe nga kryetari i bashkisë së qytetit te Shenzhenit, Xu Zongheng.
Ky qytet zë vendin e dytë në Kinë për nga fuqia ekonomike, pas Hong Kongut, duke lënë pas Shangain dhe Pekinin.
Shenzheni ka gjithashtu portin e katërt më të madh në botë dhe një industri shumë të zhvilluar financiare.
Kryetari i Bashkisë së Shenzhenit tha se kishte marrë informacion për zhvillimin e madh ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit dhe shprehu kënaqësinë që ajo të vazhdojë në këtë rrugë.
Po kështu gjate qëndrimit ne Kinë, kreu i qeverise shqiptare vizitoi edhe tempullin budist te Nanshasë.
Pas kësaj vizite kryeministri Berisha në një prononcim për mediat i shprehu kryeministrit Wen Zhiabao mirënjohjen më të thellë për mundësinë që i krijoi për te marre pjese ne Forumin Ekonomik Aziatik të Boaos.
Gjatë darkës me kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, kryeministri tha se shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet botërore veçanërisht në fushën ekonomike dhe financiare.
Kryeministri është pyetur nga mediat nëse ishte lutur për zgjedhjet ne këtë tempull dhe është përgjigjur se Buddha është simbol i mbarësisë, e natyrisht qe është lutur jo vetëm për zgjedhjet, por në tërësi, edhe për mbarësi, mirëkuptim e tolerancë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro