Duke pranuar ftesën e kryeministrit Berisha, presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berluskoni, do të vizitojë për disa orë ditën e martë kryeqytetin shqiptar.
Gjatë takimit Berisha dhe Berluskoni do të marrin pjesë dhe në nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe akteve zyrtare, ku me interes janë marrëveshjet që kanë të bëjnë me sektorin energjetik, bashkëpunim për të cilin Berluskoni por dhe kryeparlamentari italian, Fratini dhe Ministri i Jashtëm, Fini, gjatë vizitave të tyre në Shqipëri kanë shprehur interesim të veçantë.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me ndërtimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit një kontratë kjo prej 1 miliard euro që do të firmoset me kompaninë Falcione, si dhe realizimin e një impianti eolik në jug dhe jug-lindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar.
Berisha dhe Berluskoni në mënyrë të vazhdueshme janë shprehur për realizimin e një projekti të përbashkët për ngritjen e një centrali bërthamor në Shqipëri dhe duket se pikërisht vënia në jetë e këtij projekti do të zërë dhe pjesën më të madhe të diskutimeve mes dy kryeministrave gjatë takimit të nesërm.
Vizita e Berluskonit në Tiranë ka ngjallur interes të veçante dhe në shtypin ndërkombëtar.
Kështu prestigjiozja Financial Times, shkruan se projekti më i madh që do të jetë në tryezën e 2 liderëve do të jetë ai i turbinave të erës, një stacion që do të jetë më i madhi në Evropë.
Kriza kronike energjetike që ka goditur Shqipërinë sipas FT, dhe ambiciet e Berishës për krijimin e një korridori rajonal energjetik kane çelur një treg të ri për kompanitë italiane, që favorizohet dhe nga nisma e qeverisë shqiptare për krijimin e lehtësirave për investitorët e huaj, siç është Shqipëria “1 euro”.
Pas takimit me Berishën, kryeministri Italian do te takohet për pak minuta dhe me presidentin Topi, ndërsa është parashikuar dhe një takim dhe investitorët Italian që operojnë në Shqipëri.
Kjo është vizita e parë e Berluskonit në Shqipëri që prej një viti që ai drejton qeverinë italiane./tvklan.al