Menada Zaimi: “Zoti, kryeministër a keni një vlerësim tuajin mbi hapat që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit në procesin për integrim evropian?
Andrus Ansip: “Sipas këndvështrimit tim Shqipëria ka bërë përpjekje domethënëse në 20 vitet e fundit. Mund të themi se në kuptimin ekonomik në Shqipëri ka ndodhur një mrekulli e vërtetë. Edhe për sa i takon zhvillimeve demokratike ka patur ecuri pozitive, por megjithatë është ende një rrugë e gjatë për tu përshkruar në kuptimin ekonomik dhe në reformat demokratike sikundër ndodh dhe në çdo vend tjetër.”
Menada Zaimi: “Zoti kryeministër Shqipëria pret një vendim të rëndësishëm siç është liberalizimi i vizave. Qeveria thotë se i ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit. A mendoni se është koha që shqiptarët të lëvizin pa viza?”
Andrus Ansip: “Po! Mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë njerëzit të kenë mundësinë të udhëtojnë kudo në Europë pa patur një vizë. Shpresoj seriozisht që kjo të ndodhë shumë shpejt, që qytetarët shqiptarë të udhëtojnë në Europë lehtësisht. Lëvizja e lirë e njerëzve është një nga parimet bazë të Bashkimit Europian dhe është e qartë që njerëzit në Evropë duan ta përdorin këtë të drejtë dhe liri bazike.”
Menada Zaimi: “A është e mundur që kjo të ndodhë brenda presidencës spanjolle të unionit?”
Andrus Ansip: “Shpresoj kështu! Por duhen përmbushur kriteret. Për shembull, Estonia kërkon ti bashkohet eurozonës duke filluar prej 1 janarit 2011 dhe për këtë duhet të përmbushë kriteret e nevojshme, nëse Shqipëria kërkon të ketë regjim pa viza, kjo do të thotë se duhet të përmbushë kriteret. Estonia është një mbështetëse e fortë e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ne do të donim ta shihnim atë si një bashkësi të fortë, çfarë do të thotë se të gjitha vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme. Të gjithë duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Jam i sigurt se shqiptarët do të jenë të zotë të përmbushin të gjitha angazhimet dhe të mbërrijnë qëllimin e tyre për t’ju bashkuar BE, fillimisht për të përfituar liberalizimin e vizave.”
Menada Zaimi: “Dhe a konstatuat progres për sa i takon vizave?”
Andrus Ansip: “Po, sigurisht! Të gjithë mund ta shohin progresin e shënuar dhe sikundër thashë shpresoj që kjo të ndodhë shpejt.”
Menada Zaimi: “Zoti kryeministër ju thatë dje gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë se do të mbështesni Shqipërinë në drejtim të integrimit europian dhe liberalizimin e vizave. Çfarë do të ofroni konkretisht, ekspertë për shembull?
Andrus Ansip: “Ekspertët kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Për Estoninë në fazën e integrimit ishte e rëndësishme të kishte një qëllim konkret atë për t’ju bashkuar BE-së dhe duke e patur këtë realizuam reformat, falë të cilave mund të flasim sot për një histori suksesi të Estonisë. Është shumë e rëndësishme që këto qëllime dhe objektiva të jenë të qarta edhe për Shqipërinë dhe është gjë shumë e mirë që ju keni disa miq të mirë që ju mbështesin që të realizoni reformat, miq që janë gati tu japin këshilla të mira, të ndajnë eksperiencën e tyre. Ne po sillemi si partnerë të mirë me Shqipërinë në NATO, marrëdhëniet dy palëshe janë në rrugën e duhur dhe sigurisht ne duhet të ndihmojmë dhe mbështesim njeri-tjetrin.”
Menada Zaimi: “Zoti kryeministër ju vini nga një forum ekonomik, a mendoni se Shqipëria ofron potencial investimi për vendin tuaj në turizëm për shembull, ju vizituat vjet Sarandën?”
Andrus Ansip: “Po vizitova vitin e kaluar Sarandën bashkë me familjen time sigurisht keni një vend shumë të bukur dhe këtu lima e biznesit është shumë e mirë. Për Estoninë partneri kryesor i eksporteve është Finlanda dhe në vend të dyte është Suedia, për Shqipërinë partnerët kryesore janë Italia dhe Greqia. Di se, 50 % e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare janë italiane dhe kështu do të jetë për të paktën 10 apo 20 vjet. Estonia është e interesuar për disa sektorë, mund të bashkëpunojmë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, mund të mbështesim në këtë mënyrë investimet e huaja direkte në Shqipëri. Zgjidhjet elektronike mbështesin ekonominë duke e bërë atë më eficente. Për shembull ju do të keni një kadastër elektronike të tokës dhe kjo do të bëjë që investitorët e huaj të hedhin para në ekonominë shqiptare. Për investimet e huaja direkte është i rëndësishëm stabiliteti ekonomik, por dhe të dhëna të qarta mbi pronësinë mbi tokën. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit është sektor shumë i zhvilluar në Estoni dhe ne jemi gati ta ndajmë me ju këtë eksperiencë që kemi.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi