Menada Zaimi: “Si e konsideroni reagimin e Tiranës zyrtare, është i mjaftueshëm vetëm në nivel deklaratash, duhet të kishte ndoshta depozitim të një ankimimi pranë autoriteteve maqedonase lidhur me këtë çështje apo ju mendon se kjo çështje mund të zgjidhet në nivel akademik, sikundër dhe i zgjidh, u tërhoq enciklopedia nga qarkullimi?”

Ilir Meta: “Qëndrimi i Shqipërisë është dhe do të jetë gjithmonë konstruktiv. Ne qëndrimet tona i kemi shprehur në mënyrë tepër të hapur dhe miqësore, qëndrimi është shprehur dhe nga kryeministri Berisha, presidentit të Maqedonisë Ivanov në New York së fundmi dhe dëshirojmë që të hapa të vullnetit të mirë për të evituar ngjarje të tilla të cilat mund të ndihmojë në radhë të parë vetë Maqedoninë, por që natyrisht ajo dhe mund helmojë në marrëdhëniet edhe me vendet fqinje. Pasi Maqedonia ka nevojë për stabilitet, Maqedonia ka nevojë për të përparuar në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia ka nevojë për të forcuar mirëbesimin brenda gjithë komuniteteve të saj dhe në mënyrë të veçantë për të forcuar fqinjësinë e mirë dhe miqësinë me të gjitha vendet fqinje.”

Menada Zaimi: “E rendisni këtë në gradën e një incidenti diplomatik për shembull?”

Ilir Meta: “Nuk duam të mbajmë qëndrime të cilat mund të shtojnë polemikat. Shqipëria ka qenë, është një mbështetëse e palëkundur e Maqedonisë në NATO, e Maqedonisë në BE dhe ne kemi qenë dhe jemi të bindur se në radhë të parë kjo kërkon një mirëkuptim, një mirëbesim, një bashkëpunim të të gjithëve në Maqedoni dhe çdo rast i tillë, i cili sjell efekte të kundërta dhe arrin mosbesimin dhe çon në shpenzimin e energjive në debate dhe polemika për çështje të së kaluarës dhe jo në bashkimin e këtyre energjive për sfidat e të ardhmes që ka vetë Maqedonia në radhë të parë, është i padobishëm.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi