Votimi elektronik mund të konsiderohet pa frikë si shpëtim i proceseve elektorale në Shqipëri.
Ky është konstatimi i dhënë nga ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për televizionin Klan.
Zoti Kume sqaron se deklarata e bërë nga kryeministri Berisha për të adaptuar këtë model është një vullnet pozitiv për të realizuar në Shqipëri procese të pakontestueshme nga humbësi.
Kristaq Kume: “Unë e shoh si shprehje të një vullneti pozitiv për të realizuar në Shqipëri procese zgjedhore të pa kontestueshme. Procese zgjedhore të cilat tq zhvillohen sipas rregullave të tilla për administrimin e tyre që ti ngushtojnë në maksimum hapësirat humbësit për të mos pranuar humbjen.”
Në argumentin e tij zoti Kume sqaron dhe mënyrën sesi mund të arrihet drejt këtij modeli, që sikundër thotë eliminon fletë votimi, rinumërim apo hapje të kutive zgjedhore, deri tek heqja dorë njëherë e përgjithmonë nga përfaqësia politike nëpër komisionet e numërimit dhe votimit.
Kristaq Kume: “Shqiptarët do të ftohen që të votojnë në qendrat e votimit, por mos të përdorin letra, të përdorin ekranin në një kompjuter dhe duke klikuar në këtë ekran të shprehi vullnetin e tij. Një mënyrë e tillë do të thotë që procesi zgjedhor nuk prodhon fletë votimi të mbyllura në kuti, të cilat mund të kërkohen të rihapen e të rinumërohen, nuk prodhon procesverbale në të cilat janë pasqyruar numri i votuesve, listat e zgjedhësve, firma të hedhura etj. Nuk prodhon tabela për rezultatet e zgjedhjeve të cilat në fund të fundit shkruhen, plotësohen dhe firmosen nga njerëz të cilët deri sot të paktën i kemi me përfaqësi politike. Përfaqësuesi politik nuk ndërhyn dot, por gjithçka mbetet si një suport informatik, i cili në fund të procesit të votimit printohet dhe po ashtu online mund të dërgohet në një kompjuter në një server në KQZ, nga ku direkt mund të dalin të gjithë rezultatet.”
Por ajo që duhet marrë në konsideratë në këtë metodë të re votimi në Shqipëri është ajo për të cilën politika gjithmonë ka kontestuar fort.
Votimi me më shumë se 1 mjet identifikimi dhe për këtë zoti Kume ofron një zgjidhje.
Kristaq Kume: “ Një lexues manjetik do të mjaftonte në qendra votimi për të identifikuar atë që kërkon të votojë. Por mund të thotë dikush që i njëjti person mund të paraqitet 10 herë me 10 karta të ndryshme identitetit. Por nuk ka përse të mos përdorim të njëjtën teknologji si atë që kanë përdorur deri sot, të identifikimit të votuesit që ka kryer procesin e votimit nëpërmjet markimit të tij me bojë në gisht.”
Ky qëndrim i ish-kryetarit të KQZ-se vjen në një kohë kur numri një i qeverisë gjatë një takimi të përbashkët me homologun e tij estonez deklaroi se mbetet i hapur për të aplikuar një model elektronik për zgjedhjet në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro