Menada Zaimi: Zonja Fajon ju jeni një ndër zërat më të fortë të Parlamentit Evropian që mendoni se Komisioni Evropian, duhet të heqë vizat me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pse besoni në një qëndrim të tillë?

Tanja Fajon: “Besoj fort se të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë të drejtën të lëvizin lirisht në Bashkimin Evropian. Unë vij nga Sllovenia, disa qindra kilometra prej këtej dhe është e vështire të kuptosh sot se të rinjtë apo ata që nuk kanë shumë para, nuk kanë të drejte të udhëtojnë të liri në Evrope. Mendoj se ne nuk duhet të vendosim mure të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor, por fatkeqësisht i kemi. Së fundmi festuam 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe nga ana tjetër kemi këto ndarje me vendet e Ballkanit Perëndimor. Paralajmërova fort PE-n se nuk është drejte që Shqipëria dhe Bosnja u lanë jashtë këtij raundi të parë të liberalizmit të vizave sepse ne bëjmë ndarje të reja mes njerëzve dhe së fundmi, ne vendosim mbi fatin e tyre që tu japim mundësi për të udhëtuar të lire. Ndoshta sepse unë vij nga rajoni dhe kuptoj më mirë këtë. Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe besoj se qytetaret e këtij vendi do ta kenë sa më shpejt të jete e mundur, mundësinë për të udhëtuar pa viza”.

Menada Zaimi: “Keni një opinion mbi të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit për vizat?

Tanja Fajon: “Pata këto dy ditë shansin për të folur me përfaqësues të qeverise, ministrin e jashtëm dhe kryeministrin, mora garanci të plotë se qeveria po bën shumë në këtë drejtim. Progresi i arritur në muajt e fundit u njoh dhe nga Komisioni Evropian, por shumë gjëra duhet të bëhen gjithashtu. Shumica në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mendoj se vendi ka akoma për të bërë disa përpjekje konkrete dhe besoj se kushtet dhe afatet e vendosura nga Komisioni Evropian do të përmbushen në fillim të vitit që vjen.

Është e rëndësishme që vendi të ketë të njëjtat qëllime, ky është procesi i liberalizimit të vizave vetëm duke punuar së bashku me dialog demokratik është e mundur që rezultatet të ndikojnë në jetën e qytetareve”.

Menada Zaimi: “Pra ju mendoni se në këtë proces është po aq i rëndësishëm edhe roli i opozitës?

Tanja Fajon: “Mendoj se është e rëndësishme të ketë dialog parlamentar. Nuk është e dobishme që palët nuk po vendosin dialogun dhe komunikimin, mu shpjegua se disa ligje që presin në parlament kërkojnë një mazhorancë prej 3/5 për miratim ndaj dhe ju keni nevojën e opozitës. Por jo vetëm për këtë, është e rëndësishme të keni në parlament çdo njërin prej tyre prezent, njerëzit që kanë zgjedhur qytetaret. Pra është e rëndësishme dialogu dhe funksionimi demokratik i institucioneve”.

Menada Zaimi: “Zonja Fajon, besoni se mesi i vitit 2010 do të shënojë dhe vendimit për liberalizim e vizave Shqipëri-BE?

Tanja Fajon: “Mendoj se është realist, ndoshta jam më shumë optimiste për shkak të natyrës tim. Mendoj se është realiste për të pritur që kjo të ndodhë. Por edhe një herë, për këtë është e nevojshme që vendi të ketë të gjitha rezultatet në fillim të vitit që vjen. Nëse ky nuk është rasti, atëherë do të humbet kohë. Nga ana jonë ne nuk do të humbasim kohë mendoj se ka një angazhim të fortë si nga Këshilli, ashtu dhe nga Komisioni e Parlamenti me hyrjen në fuqi dhe të Traktatit të Lisbonës që të bëjmë gjithçka për të mos humbur kohë. Por autoritetet duhet të përmbushin në kohë edhe ato detyrime të mbetura sa më parë të jetë e mundur./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi