Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të bëra nga Presidenti Ilir Meta, ku më e fundit ishte ditën e sotme kur thoshte se “vendi po rrëshket drejt një junte me grusht të hekurt”.

Për shefin e qeverisë, kjo gjuhë e përdorur nga kreu i shtetit është e papranueshme për shkak të funksionit që ka si President.

Rama thotë se tashmë Ilir Meta ka nisur fushatën elektorale për ish-partinë e tij, LSI-në. Ndërsa akuzat nuk e surprizojnë, madje pret edhe përshkallëzimin e tyre deri në datën e zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

Më vjen shumë keq por është fakt, Ilir Meta është zhveshur plotësisht nga roli i Presidentit tanimë, dhe është zhytur në një fushatë politike për të shpëtuar nga falimenti sh.p.k-në e Monikës dhe të tribusë së tij. Mos prisni asgjë tjetër nga Ilir Meta të paktën deri në 25 Prill, përveç përshkallëzimit të vazhdueshëm të një retorike që na turpëron të gjithëve ne, por që s’duhet të çudisë asnjërin sepse Ilir Meta është thjesht kryetari i shtabit elektoral të opozitës që përdor zyrën e Presidentit të Republikës”, deklaroi Kryeministri Rama.

Kryeministri shkoi edhe më tej, kur tha se ish-partia e Ilir Metës do të humbasë në këto zgjedhje.

Më i mëzituri nga të gjithë është Ilir Meta sepse do të humbë zgjedhjet, dhe do t’i humbë në mënyrë shembullore siç e meriton në fakt. Sepse Shqipëria, Ilir Metës nuk i ka asnjë borxh. Të gjithë ne i kemi borxh Shqipërisë. Ç’a do më shumë ky njeri që nuk rri rehat një sekondë të vetme dhe vetëm mendon si të nxitë ndasi, sherr, rrëmujë për të përfituar si i treti i vërteti. Edhe vetë pozicioni ku qëndron është i zgjedhur për të qenë i treti i vërteti”, u shpreh Rama.

Mëngjesin e sotëm, Presidenti Ilir Meta reagoi në rrjetet sociale duke thënë se vendi po rrëshket drejt një junte me grusht të hekurt. Zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021, kreu i shtetit i konsideron si referendum kundër qeverisë socialiste, të cilën Meta e quan një “bandë” që ka shkelur Kushtetutën. /tvklan.al