Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kritikat e kryeministrit Fatos Nano kanë prekur këtë radhë krerët e drejtësisë. Spiro Peçi, Fehmi Abdiu, Thimio Kondi e Theodhori Sollaku, të cilët janë porositur të heqin dorë, nga konfliktet mes tyre. Në analizën vjetore të Ministrisë së Drejtësisë, Nano kërkojë largimin nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Ai ka konstatuar, se një pjesë e gjyqtarëve janë të punësuar pranë partive politike, të cilave u shërbejnë.
Fatos Nano:- “Unë zoti kryetar i Gjykatës së Lartë, do të kërkoja sërish, që gjykata që ju drejtoni, të angazhohet më mirë në marrjen e më shumë vendimeve unifikuese të praktikës gjyqësore, që do të ndihmonin qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme në standardizimin e dhënies së drejtësisë në të gjithë sistemin gjyqësor, duke orientuar drejtë edhe prokurorët edhe avokatët edhe komunitetin e juristëve në tërësi. Gjithashtu në një rol të rëndësishëm, që siguron respektimin e Kushtetutës është edhe Gjykata Kushtetuese. Zoti kryetar, në vlerësimin tim, ne nuk mund të vazhdojmë të përballojmë kontestet institucionale të motivuara deri politikisht me interesat e ditës, për shkak të pozicionimit kushtetues, jo adekuat të gjykatës që ju drejtoni. Nga ana tjetër të dy gjykatat tona supreme, nuk mund të vazhdojnë të harxhojnë energji, duke përballuar diskutime absurde, kompetencash me njëra-tjetrën. Me këtë rast, dëshirojë të theksojë, se si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, duhet të zbatojnë me korrektësi, rregullat procedurale, për pranimin e çështjeve për gjykim, sipas konceptit kushtetues dhe bashkëkohor, të funksionimit të drejtësisë në nivele të tilla të larta”.
Pas kritikave të Nanos është larguar nga salla e analizës kryetari i Gjykatës së Lartë Thimio Kondi. Një vlerësim të lartë i ka adresuar Nano avokatit të tij, sot zv/ministër i Drejtësisë Përparim Sanxhaku. Kryeministri sugjeroi të krijohen kushte më të mira nëpër burgje, të hartohen sa më shpejt ligjet, për gjykatën e krimeve të rënda dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. S’mund të lejojmë që kriminelët të lirohen nga administrata e burgjeve, theksoi Nano, duke tërhequr vëmendjen e prokurorisë.
Sipas tij, nëse nuk pastrohet sistemi i drejtësisë nga të korruptuarit, afrimi me BE do të komprometohet.
Analiza vjetore ka prekur dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në prani të zv/kryeministrit Meta, ministrja Leskaj tha, se niveli i papunësisë është ulur me 13%. Zv/kryeministri Ilir Meta evidentoi punën e qeverisë, me projektet e punësimit dhe emigrimit legal të shtetasve.
Ilir Meta:- “Është e rëndësishme që sa më shpejtë të përfundojë miratimi i strategjive afatshkurtra dhe afatmesme të tregut të punës, të zhvillimit të sigurimeve shoqërore, të shërbimeve sociale dhe statusi i fondit kombëtar të punësimit. Në përpjekjet për të zgjeruar hapësirat për emigracionin e ligjshëm dhe veçanërisht për të përmirësuar statusin social të emigrantëve tanë jashtë, për të cilën do të na duhet të bashkëpunojmë edhe midis dikastereve në të ardhmen”.
Analiza vjetore nëpër ministri pritet të pasohen nga lëvizje të ministrave në kabinetin Nano./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame