Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste në Kukës  prej nga u zgjodhën delegatët që do të marrin pjesë në kongresin e socialistëve të 12 Dhjetorit.

Kreu i mazhorancës ka qenë mjaft i ashpër ndaj fjalës së tij dhe ish kryeministrit Meta dhe deputetëve që e mbështesin atë, por edhe ndaj kandidatit alternativ Rexhep Meidani. Ndryshe nga një ditë më parë kësaj radhe kreu i mazhorancës rezervoi tonet e ashpra ndaj kandidatit socialist Edi Rama.

Fatos Nano:  Unë e kuptoj se në mejdan dalin burrat, por nuk mund ta kuptoj Metën që fshihet pas Meidanit dhe shtyn këtë të fundit të dali në mejdan. Pra Meta sërish tregohet i pandershëm edhe me ata që gjasme i mbështet. Ai u shmanget konferencave dhe ballafaqimit të hapur me ju sepse nuk ka asnjë argument dhe aq më pak kurajo të japë llogari se pse po e sulmon kaq ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste, kur deri dje ishte vetë njëri nga protagonistët e saj. Mbi të gjitha pse kërkojnë të bëhen drejtues të një gjëje që sipas tyre na qenka e rrënuar, kur kanë dhënë prova të mjaftueshme që në politikë afrohen kur ndiejnë erën e mjaltit dhe jo për të sakrifikuar në të mirën tuaj. I shtroj të gjitha këto pyetje sepse këta shokë e kanë mbushur kupën dhe e kanë bërë borxh. Nuk i aviten partisë sonë për të dhënë kontributet që gjithsesi mbeten të mirëseardhura dhe të respektuara, por duan të marrin në dorëzim këtë magazinë të madhe vlerash që quhet Parti Socialiste, për ta shkatërruar dhe për ti dorëzuar pushtetin Berishës. Sulmi brenda nesh është i njëkohshëm me temperaturën e lartë të doktorit të sëmurë, të Berishës, i cili është ngritur sërish, thua se ka të njëjtin trup, apo dhe të njëjtën mendje me disa nga shokët tanë./tvklan.al