Kryeministri Rama i është rikthyer një ditë më pas fjalimit që mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku foli për pavarësinë e Kosovës. Duke publikuar një pjesë të saj në rrjetet sociale, ai nuk ka lënë pa thumbuar kritikët e tij.
“Ja si flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si “vëllaun e Vuçiçit”.
Me anë të këtij mezazhi në rrjetet sociale, ku ka postuar edhe një pjesë nga video e fjalimit që mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur plot ironi kritikëve që e kanë sulmuar shpesh për raportin e tij me presidentin e Serbisë, Vuçiç.
Në fjalën e mbajtur në Nju Jork, Rama e cilësoi pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm dhe si vend me një perspektivë të qartë evropiane. Kreu i qeverisë shqiptare ua bëri të qartë liderëve botërorë se Kosova nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin e Ukrainës.
Nga foltorja e Kombeve të Bashkuara, Rama nuk hezitoi të kritikonte shtetet anëtare të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Edi Rama: Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë europiane dhe një aleancë e padiskutueshme e komunitetit të madh të vendeve. Çdo paralele e hequr artificialisht mes Kosovës dhe zonave të pushtuar të Ukrainës kanë për synim të shpërqëndrojnë këdo që është e mundur në këtë ndërtesë dhe të gjithë opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk do ja arrijnë të zbehin të vërtetën që Kosova është pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit euro-atlantik dhe nuk duhet të mbahet peng nga askush me justifikime të rreme duke e nisur nga grupi i 5 vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin vendin e Kosovës në çdo organizatë dhe forum ndërkombëtar.
Në fjalën e tij veç Kosovës, kryeministri Rama u ndal tek sfidat e rajonit tonë dhe dënoi agresionin rus në Ukrainë.
Klan News