Kurbini ka qenë ndalesa e radhës e turit të inaugurimeve që kryeministri Berisha ka ndërmarrë në të gjithë Shqipërinë.
Shiritat e përurimit të disa shkollave, rrugëve dhe qendra komunare, objekte këto të rikonstruktuara apo të ndërtuara rishtazi, janë prerë nga kryeministri Berisha, Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe kryeparlamentarja Topalli, të cilët shoqëronin në qytetin e Laçit kreun e ekzekutivit.
Investimet në Kurbin sipas kryeministrit kapin shifrën e 1 miliard lekëve dhe dëshmojnë përmbushjen e premtimeve të demokratëve.
Sali Berisha: “Shqipëria rurale po bëhet Shqipëri e asfaltit, e zhvillimit të qëndrueshëm. Po kalohet nga balta dhe çakulli tek asfalti.”
Po në përmbushje të premtimeve të tij elektorale të tre viteve më parë gjatë ndalesës në shkollën 9-vjeçare të komunës Fushë-Milot me takimin me mësuesit Berisha ka ripërsëritur angazhim për dyfishimin e pagave të arsimtarëve brenda mandatit të kësaj qeverie.
Sali Berisha: “Arsimi është dhe do mbetet përparësia më madhore. Jemi përqendruar në rritjen e rrogave të arsimtarëve dhe këtë ne e bëjmë me bindjen më të madhe se është një veprim i merituar. Edhe këtë vit arsimtarët do të jenë në krye të rritjes së rrogave dhe vitin tjetër unë dal pa vij para jush me premtimin e mbajtur fiks dyfishimin e rrogave tuaja”.
Kryeministri ka prerë shiritin e inaugurimit dhe për rrugën e sapondërtuar që të çon në kishën e Shna Ndoit, investim 127 milion lekë të qeverisë. Më pas ai është ngjitur në kishë për të uruar mijëra besimtarët katolikë të zonës për festën e Shna Ndoit.
Sali Berisha: “Uroj nga zemra këtë ditë të shenjtë me urimin, Zoti dhe Shna Ndou ju ndihmoftë!”/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka