Partitë popullore evropiane i kanë dhënë mbështetje kryeministrit Sali Berisha për aplikimin që qeveria shqiptare pritet të bëjë për statusin e vendit kandidat në BE, brenda presidencës ceke.
I ndodhur në Bruksel në kuadër të pjesëmarrjes së tij në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, kryeministri Berisha , rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur në përmbushje të këtij angazhimi.
Sali Berisha: “Unë mund t’ju them se për të gjitha çështjet e diskutuara, të cilat mbuluan një spektër të gjerë që nga kandidimi i Shqipërisë gjer tek fushata zgjedhore dhe zgjedhjet, unë gjeta mirëkuptim të plotë, por unë kam qenë dhe mbetem i asaj përballje të negociatave. Në shtëpinë e tjetrit nuk mund të hysh pa trokitur. Ky është një rregull dhe unë them se e kam zgjeruar shumë mirëkuptimin duke e konceptuar po këtë si një proces, dhe jo si një moment të menjëhershëm”.
Duke i cilësuar zgjedhjet e 28 Qershorit si një test vendimtar për integrimin e vendit në familjen evropiane, kryeministri garantoi angazhimin maksimal të qeverisë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira konform të gjitha standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët.
Sali Berisha: “Zgjedhjet do përmbushin standardet. Zgjedhjet do vëzhgohen nga qindra e qindra vëzhgues. Këto zgjedhje zhvillohen me infrastrukturën më moderne. Katër muaj përpara janë dalë listat elektronike. Është bërë së bashku me kompaninë austriake pastrimi i të gjitha publikimeve, po hiqen certifikatat dhe del zoti Rama nga certifikatofobia. E çlirova nga kjo fobia. E çlirova. Tani ka vetëm pasaporta, me të cilat qytetarët udhëtojnë jashtë shtetit dhe letërnjoftime elektronike.”
Vend të rëndësishëm në samitin e Brukselit zuri kriza botërore dhe efektet e saj në ekonomitë evropiane.
Për kryeministrin Berisha Shqipëria figuron si një nga vendet më të mbrojtura nga kjo krizë, fakt që sipas tij ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Sali Berisha: “Ju besoj se e keni parë lajmin e “Financial Times” që rendit Shqipërinë dhe Azerbajxhanin si dy vendet më të mbrojtura nga kriza në kontinentin evropian.”
Këto deklarata të kryeministrit Berisha vijnë në një kohë kur eurodeputetja Doris Pack, e cila ndodhet për një vizitë në Tiranë, deklaroi qartë se BE do t’i përmbahej premtimeve të Selanikut dhe se në legjislaturën e ardhshme Shqipëria do të jetë pjesë e bllokut të zgjerimit të familjes evropiane./tvklan.al
Gazetar: Jolldiz Mitro