Vizita ne jug te vendit e kryeministrit Sali Berisha është shoqëruar me inaugurimin e disa investimeve ne rruge, te rëndësishme këto për shkak te flukseve te mëdha turistike.
Ne fshatin Ilias, ka përfunduar rruga e re për ne Manastirin e Shën Theodhorit dhe plazhin e Gjipesë.
E gjate 3 km konsiderohet ndihme për banoret e zonës, por dhe turistet. Rruga ka te gjithë elementet e infrastrukturës moderne, me trotuare e ndriçim, e ka kushtuar rreth 30 milion lekë.
Inaugurimin e rrugës se re kryetari i qeverise e shoqëroi dhe me një vizite ne
Manastirin e Shën Theodhorit, një nga trashëgimitë më të çmuara kulturore te vendit, ndërtuar ne shekullit e 16-të.
Sali Berisha: “Kjo zonë është jashtëzakonisht e rëndësishme në hartën fetare dhe turistike të Bregut, ndaj dhe ne kemi ndërtuar rrugën me ndriçim që të sjell tek manastiri. Kisha ka treguar interesin, por burokracia akoma nuk i ka dhënë përfundimisht pronësinë dhe kjo është një gjë që duhet të marrë fund me shpejtësi.”
Ndërtimi i rrugëve do te ketë si qellim kryesor lehtësimin e zbritjes ne det, por dhe në treg te banoreve te këtyre zonave.
Jo për here te pare kryeministri tha se 2010 do te shënojë përfundimin e te gjitha rrugëve që të çojnë drejt detit.
Sali Berisha: “E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin. Në këtë kontekst, të parat janë rrugët e fshatrave, fillimisht të fshatrave që janë të bregdetit, pastaj edhe të fshatrave që janë më tutje, p.sh. ka përfunduar projekti i rrugës Kuç-Fterë-Borsh. Në dy vitet e ardhshme e tërë zona e bregut gjer në Ksamil do të ketë një infrastrukturë moderne evropiane.”
Por kryeministri Berisha nënvizoi me po aq rëndësi ofrimin e shërbimeve cilësore e me çmime te leverdishme për pushuesit. Për këtë qellim kryetari i qeverise u beri thirrje te posaçme operatoreve turistike.
Sali Berisha: “Vërtet, jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, e shndërrimit të Shqipërisë në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Evropë. U gëzova pa masë kur lexova në Eurostat se në restorantet dhe hotelet shqiptare çmimet janë të leverdishme. Ndaj, unë i ftoj të gjithë pronarët e hoteleve, restoranteve, pronarët e shtëpive le të luajnë me çmime të arsyeshme dhe të mos harrojnë kurrë se e vërteta është që krahas peizazhit dhe ushqimit, pothuajse 95% e turistëve pëlqejnë çmimet e lira.”
Ne fjalimin e tij kryeministri Sali Berisha foli dhe për zbatimin e masterplaneve qe përcaktojnë kriteret më të drejta të përdorimit te tokës dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohen planet urbanistike.
Sali Berisha: “Vërtet jemi të vonuar, por kemi shansin më të madh të ndërtojmë një turizëm krejtësisht tjetër nga turizmi i betonit dhe i betonimeve. Po të shkoni në Himarë ju shihni aty të gjitha banesat, por, përveç tyre, edhe dy pallate pa leje, të cilat e lëndojnë Himarën, e lëndojnë Himarën gjer në palcë. Si pa leje që janë, do të kenë fatin e ndërtimeve pa leje, padiskutim, por s’besoj që ato të përsëriten më.”
Gjatë vizitës së tij në zonën e Bregut, kryeministri Sali Berisha inauguroi edhe rrugën hyrëse në fshatin Palasë, një investim me vlerë 24 milion lekë.
Rruga e re ndihmon në zhvillimin e turizmit të kësaj zone, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve, por edhe vizitorëve të saj./tvklan.al