Kryeministri Sali Berisha gjatë turit të inaugurimeve në kryeqendrën e veriut u është përgjigjur edhe akuzave të hedhura nga opozita në lidhje me spotin kundër korrupsionit.

Gazetari: Zoti Berisha, cili është komenti juaj në lidhje me spotin?

Sali Berisha: “E di si ia bën ti tani? Dua të them një gjë. Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi një grup fashistësh dolën në Tiranë dhe brohorisnin, “Viva Duçe”. U gjet aty dhe një matjan, i cili sapo e ndërprisnin ata “Viva Duçe”u kthehej “Ene Zogji”. Tani ky thotë edhe spoti, unë flas për…(qesh)”.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se dy janë armiqtë më të egër të mirëqenies së njeriut, tirania dhe korrupsioni.

Deklarata e kryeministrit u bë gjatë inaugurimit të rezervuarit në ujësjellësin e ri të qytetit të Shkodrës, një financim prej rreth 8.1 milion euro, kontribut i qeverisë austriake dhe asaj shqiptare.

Ky investim garanton furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm për qytetin. Kryeministri ka inauguruar gjithashtu dhe rrugën e re, Nënklea, bashkëfinancimi i buxhetit të shtetit dhe pushtetit lokal, me vlerë 38 milion lekë.

Më tej kreu i ekzekutivit ka marrë pjesë në çeljen e shkollës 5-vjeçare profesionale, Peter Maringer, e cila është bërë e mundur falë një investimi prej 1.5 milion eurosh të qeverisë austriake.

Sali Berisha: “E konceptuam mbi bazat më moderne të teknologjisë së informacionit. Qeveria është e vendosur në bashkëpunim me ju ta shndërrojë këtë shkollë në një shkollë të vërtet rajonale.”

Shiritin e preu Ministri shqiptar i Arsimit, Fatos Beja, sw bashku me homologen e vet austriake, Elisabet Gerrer. Pala shqiptare do të japë çdo vit të paktën 30 bursa studimi për nxënësit në këtë shkollë teknologjike./tvklan.al