Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte në rrethin e Shkodrës ku ka kryer një seri investimesh të rëndësishme publike.

Fillimisht ai është ndalur në Bushat ku ka inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e landfillit për përpunimin e mbeturinave të mbetjeve urbane. Vlera e këtij investimi kap shifrën e 600 milion lekëve.

Landfilli ka një kapacitet përpunimi prej 47 mijë ton mbeturina në vit. Berisha tha se impiante të tilla do të ngrihen nga Shkodra deri në Korçë.

Kryeministri premtoi se investimet rurale janë prioritet i qeverisë që ai drejton dhe të tilla do të jenë edhe gjatë mandatit të ardhshëm.

Më pas shefi i ekzekutimit ka përuruar rrugën e re në fshatin Dajç-Pentar, një investim prej 30 milion lekësh.

Sali Berisha: “Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim rural nuk ka dhe nuk mund të ketë dhe në tërësi ka një kthesë rrënjësore nga çakulli tek asfalti.”

Ndërsa në komunën Melgush Berisha, i shoqëruar nga kryetarja e kuvendit dhe njëkohësisht deputete e Shkodrës, Jozefina Topalli, ka prerë shiritin e inaugurimit të rrugës 7 kilometra që lidh dy fshatra, Ramzë dhe Melgush me autostradën Shkodër-Tiranë, me vlerë 51 milion lekë.

Sali Berisha: “Do mbështesim në të gjitha përpjekjet tuaja për një jetë më të mirë, për standarde më të mira. Kjo qeveri këtë vit me gjithë uljen e madhe të taksave ia ka dalë të mbledhë 1.2 milion dollarë më shumë se në vitin 2005. Po pse kjo? Si ka mundësi? Absolutisht sepse nuk vidhen”.

Kryeministri tha se qeveria që ai drejton është duke punuar për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara nga NATO dhe Bashkimi Evropian./tvklan.al