Sali Berisha: “Me praninë tuaj, kamerat dhe mikrofonat tuaj, ju u bëtë dëshmitar të ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë që nga dita e shpalljes së pavarësisë gjer sot, anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, kurorëzimit në samitin e 60-vjetorit te Aleancës të Atlantikut të Veriut, të ëndrrës së shqiptarëve për të parë vendin e tyre aty ku rilindësit e projektuan “Zonjë”në Perëndim, aty ku studentët që u përballën në Dhjetorin e ’90-tës me diktaturën dhe e gjunjëzuan atë, Shqipëria në NATO. Sot në këtë samit në të cilin NATO-ja erdhi më madhështore, më e fuqishme se kurrë në histori, erdhi me një bilanc të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe zgjerimin e lirisë. I takoi Shqipërisë të jetë një simbol i atyre parimeve mbi të cilat NATO-ja u themelua. 60 vjet më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Harry Truman, themeloi Aleancën e Atlantikut të Veriut me qëllim që armiqtë e djeshëm t’i bëjmë miq dhe aleatë dhe së bashku të mbronim vlerat që ndanin si shoqëri të lira. Shqipëria nuk ka qenë pas daljes nga traktati i Varshavës një rrezik për NATO-n, por ideologjia toksike e saj adaptoi propagandën më koprolalike ndaj kësaj aleance të lirisë gjer ditën e rënies së diktaturës, pra në këtë kontekst NATO-ja është magneti i madh që arrin t’i thithë, t’i bashkojë kombet në liri dhe në vlera. Për çdo komb anëtarësimi në NATO është një ngjarje e jashtëzakonshme, për ata që kanë vuajtur sa shqiptarët është më e jashtëzakonshme se për të gjithë të tjerët. Mbyllet një kapitull shekullor pasigurirash për vendin dhe kombin tonë. Hapet një kapitull, një epokë e re, në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri të plotë”./tvklan.al