Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka parë nga afër ecurinë e punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash teksa edhe pak ditë nga ndajnë nga përfundimi i kësaj vepre.
Kryeparlamentarja e shoqëruar dhe nga banorë të Rrëshenit si dhe drejtues të punimeve e ka cilësuar këtë rrugë si një mrekulli infrastrukturore, pavarësisht akuzave të ngritura nga opozita. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë kolos më të madh infrastrukturor u shpreh Topalli.
Jozefina Topalli: “Në gjithë këtë bukuri dhe në gjithë këtë kolos pavarësisht nga përpjekjet e kryetarit të bashkisë së Tiranës me helmin që i hedh çdo ditë, me llumin që përpiqet të lëshojë, me duart që i ka bërë gjithë baltë, se hedh vetëm baltë çdo ditë mbi këtë rrugë, mbi rrugën e Bregut, mbi rrugët e tjera. Të zë vend më shumë se kurrë ajo fjala që balta në shkëmb nuk nxë dhe ky është një shkëmb në kuptimin e veprës e zhvillimit ekonomik.”
Ndërsa Mike Swinford menaxheri i punimeve e konsideron mahnitës volumin e punimeve të këtij projekti që tashmë ka hyrë në fazën finale.
Mike Swinford: “Për mua është projekti më domethënë. Unë mund t’ju them se në bazë të eksperiencës time personale ky është projekti më sfidues në të cilin unë kam punuar gjatë eksperiencës time 30 vjeçare në ndërtim dhe puna që është bërë këtu në Shqipëri është mahnitëse. Ky është projekti ma i madh i këtij lloji ndërmarrë në këtë vend dhe në mbarë botën. Në radhë të parë ky projekt nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverisë. Pa pjesëmarrjen e tyre 100% ne nuk do ti kishim përfunduar atë që kemi bërë këto dy vjet.”
Autostrada Rrëshen-Kalimash, kantieri më i madh ndërtimit në vend, pritet të përfundojë brenda 1 muaji. Ky segment 61 km i gjatë është pjesë e autostradës 170 km që nis nga porti i Durrësit dhe përfundon në Morinë në kufirin me Kosovën.
3800 punonjës, 60 % e të cilëve janë shqiptarë dhe më se 1200 makineri punonjë çdo ditë në kantieret përgjatë autostradës Rrëshen-Kalimash në një terren mjaft të vështirë.
Projekti përfshin ngritjen e 29 urave dhe të tunelit 5.5 km i gjatë. Një ndër më të mëdhenjtë në rajon, për hapjen e të cilit ka nisur numërimi mbrapsht./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro