Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Sekretari për marrëdhëniet publike në Partinë Socialiste Bardhyl Agasi ka dhënë dorëheqjen nga funksionet e tij partiake gjatë mbledhjes së kryesisë.
Bardhyl Agasi: “Po sapo kam dhënë dorëheqjen si sekretari për marrëdhëniet e publikun dhe si anëtarë i kryesisë së partisë, natyrisht duke kontribuar gjithmonë për partinë time”.
Gazetarja: U pranua?
Bardhyl Agasi: “Nuk u pranua, por unë e kam dhënë”.
Pavarësisht shakasë, gjatë pothuajse 4 orëve në mbledhje është diskutuar dhe mbi dorëheqjen e anëtarit Agasi, i cili është vlerësuar nga kolegët e tij mbi punën e deritanishme. Ish-ministri i rendit Luan Rama gjithashtu ka shprehur pakënaqësi lidhur me një artikull të botuar në shtypin e partisë, për disa drejtues policie të emëruar prej tij, por të shkarkuar nga ministri Toska, por kjo nuk ka gjetur mbështetjen e kryetarit të partisë.
Përpara mediave kryesocialisti pranoi se procesi i kuvendimit të madh duhej shoqëruar me shkundjen e strukturave të partisë. Fatos Nano kërkoi nga anëtarët e kryesisë që të ndezin motorët duke e cilësuar demode dërgimin e delegatëve pranë bazës.
Fatos Nano: “Vetëm në këtë mënyrë, duke shkundur pluhurin e pritjes, apo vetëkënaqësinë e atyre që realisht kemi arritur, duke ripërtërirë dhe aftësuar më tej trupën tonë politike dhe qeverisëse, duke përmirësuar veten dhe marrëdhëniet tona e aleatët e ngushtë politikë, të shoqërisë civile, me sipërmarrjen e lirë, me votuesit dhe simpatizantët, me qytetarët e thjeshtë për të gjithë ata që mendojnë kundra, ne do të vazhdojmë të mbetemi forcë kryesore politike në vend”.
Situata e re parlamentare dhe largimi i deputetëve socialistë drejt LSI, nuk është tragjedi për kryetarin e PS.
Fatos Nano: “Ikja nuk është tragjedi, ikja e ca shokëve tanë është shfaqja dhe prova e fundit e paaftësisë së tyre, për të përballuar ritmet e zhvillimit dhe rregullat e demokracisë sonë të brendshme që funksionojnë më mirë se në çdo parti tjetër në vend. Është provë, që ata që ikën nuk e kishin shpirtin e solidaritetit dhe të sakrificës që ne kemi kultivuar dhe shfaqur vazhdimisht në vite. Nuk e kishin urtësinë dhe maturinë, durimin për të shëruar atë që sëmuret./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj