Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Socialistët nuk do ta deklarojnë përpara zgjedhjeve parlamentare emrin e kryeministrit që do të drejtojë kabinetin në katër vitet e ardhshme. Pas mbledhjes së kryesisë socialiste, sekretari organizativ Petro Koçi tha, se pas fitores në zgjedhje, të majtët do vendosin për kryeministrin.
Petro Koçi:- Në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, ka vend bosh në të cilën do të kuotohet edhe shoku ynë Ilir Meta. Unë jam i sigurt që rezultati do të jetë fitues për të. Ky nuk është një problem për PS, për të përcaktuar kandidatin ose jo për kryeministër, pas fitores së zgjedhjeve të ardhshme”.
Në fund të këtij muaji KPD, do të miratojë listën e kandidatëve për deputet, që do të propozohen nga konferencat e PS nëpër rrethe. Në kongresin e 5-të të socialistëve më 6 Maj, pritet të miratohen kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët e qeverisë, për të cilën kryeministri më parë duhet të marrë pëlqimin e kryesisë socialiste. Përpara mbledhjes së kryesisë, kryetari Nano ka zhvilluar takime të veçanta me aleatët Gjinushi, Melo, Xhuveli e Imami./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame