Kryesia e partisë socialiste analizoi zhvillimin e konferencave në rrethe si dhe propozimet e degëve lokale për kandidatët e rinj. Pavarsisht deklaratës së kryeministrit Nano për freskim të zonave elektorale, të cilat humbën në zgjedhjet lokale 2003, partia socialiste nuk do të pengojë vetëkandidimin e kryetarëve aktualë.

Gramoz Ruçi: “Po kjo s’do të thotë se ndalon aspak vetëkandidimin nga vetë kandidatët në qoftë se merr 50% +1 të votave të delegatëve të asaj konference ose 1/3 e delegatëve me firma të propozojë këdo kandidat.”

Numri dy i partisë socialiste garantoi se nuk do të ketë ndryshime ne qeveri.

Gramoz Ruçi: “Nuk ka një qëndrim të tillë kryesia e partisë socialiste të Shqipërisë për ndonjë skemë apo për ndonjë ndryshim në kabinetin qeveritar aktual.”

Për sa i takon turit elektoral të kundërshtarëve të kryeministrit Nano brenda partisë socialiste, sekretari i përgjithshëm vlerësoi se mendimi i tyre do të dëgjohej më mirë nëse shprehej brenda strukturave të partisë, por këtë lëvizje drejtuesit socialistë nuk e shohin si presion për shkëputje nga selia.

Gramoz Ruçi: “Unë nuk shikoj dhe as dëshiroj asnjë çarje të partisë socialiste. Kjo është e padëshirueshme nga këto struktura, e padëshirueshme edhe nga anëtarësia në parti.” /tvklan.al