Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vizituar një zonë të varfër të Beratit. Në Uznovë Rama u ka thënë banorëve se qeverisja e majtë do të mbështesë këto shtresa të shoqërisë duke filluar që nga arsimi duke premtuar libra falas për fëmijët e shkollave.

Edi Rama: “Sali Berisha pati pafytyrësinë të thotë se abetaret i jep falas. Abetaret nuk janë falas. Abetaret janë shitur një për një siç janë shitur një për një të gjithë librat e klasës së parë dhe të gjitha klasave të tjera dhe siç janë shtuar radhët e fëmijëve që nuk kanë shkuar dot këtë vit në shkollë për shkak të varfërisë. Kjo do të ndryshojë mbas 28 Qershorit. Ne abetaren dhe librat e shkollës për të gjithë fëmijët e varfër do t’i japim falas jo me rimbursim, por drejt e në dorë”.

Sipas Ramës qeverisja e majtë pas 28 Qershorit do të ketë një komunikim më të madh me njerëzit, dhe me grupet e interesit. Sipas tij kjo është një ndër pikat e programit.

Edi Rama: “Shqipëri nënë të të gjithë fëmijëve të këtij vendi mund ta ndërtojmë vetëm së bashku duke i lënë politikanët e vjetër të të shkuarës në kutinë e televizorit dhe duke e sjellë qeverinë këtu midis jush siç kemi ardhur sot për t’ju thënë çdo bëjmë nesër do të vijmë dhe nesër për ta bërë së bashku atë që sot ju themi se do ta bëjmë.”

Rama ka përfituar nga rasti duke ka bërë një udhëtim me autobusët e linjës deri në Berat ku ka biseduar për hallet e banorëve të zonës, të cilëve iu ka kërkuar të marrin pjesë masivisht në votime.

Edi Rama: “Të gjithë duhet të shkojnë të marrin kartën dhe të japin votën për ndryshimin në jetën e familjes së tyre, për ndryshimin në shkollën e fëmijëve të tyre, për ndryshimin në listën e ilaçeve të të moshuarve të tyre dhe për ndryshimin që prej kaq shumë vitesh e prisni të sjelljes së politikës ndaj jush.”

Edhe në qytetin e Beratit Rama u ka kërkuar qytetarëve që të pajisen me kartat e identitetit, sipas tij për të nxjerrë në pension qeverisjen aktuale./tvklan.al