Kryetari i Partisë Socialiste ka vijuar turin e tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve në qytetin e Poliçanit dhe Kuçovës.

Në këto takime kreu i selisë rozë është ndalur tek fushata e përbaltjes që sipas tij është kthyer në moton e politikës së vjetër.

Rama është shprehur se kjo metodë kërkon të largojë vëmendjen nga problemet reale me të cilat ndeshen qytetarët.

Edi Rama: “Përballë nesh është Sali Berisha dhe jo vetëm ai, por e gjithë shpura e politikë së vjetër që flet nga e djathta, apo që bërtet nga e majta, e cila ka vënë në lëvizje industrinë e akuzave, shpifjeve, fyerjet dhe që në muajt në vijim do punojnë në ethe pa para për të na përbaltur, për të na shkurajuar, për të na mjegulluar sy e për të na rrëzuar moralin.”.

Në ndryshim nga politika e mllefeve, tha Rama, Partia Socialiste do të kryejë një fushatë ku në qendër të saj do të jenë bashkëbisedimi dhe dialogu me qytetarët.

Edi Rama: “Ne nuk do t’i kundërvihemi baltës dhe mllefit me baltë dhe me mllef, por me fuqinë e besimit tonë tek ëndrra evropiane që na ka prurë edhe sot këtu në këtë sallë, të cilën do ta tregojmë qytet më qytet, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi.”

Sipas kreut socialist më 28 Qershor shqiptarët do t’i japin jetë ëndrrës për një të ardhme më të mirë falë ndryshimit që do të sjellë bashkimi i ri përtej së majtës dhe së djathtës./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani